Kabineti izraelit mbështet planin e paqes - 2003-05-25

Kabineti izraelit miratoi një plan paqeje të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili parashikon krijimin e një shteti palestinez deri në vitin 2005

Kabineti votoi me 12 vota pro dhe 7 kundër për planin e njohur edhe si Harta Rrugore drejt Paqes. 4 anëtarë të kabinetit abstenuan.

Vendimi i kabinetit është hera e parë që një qeveri izraelite miraton një nismë, e cila mbështet në mënyrë të përcaktuar krijimin e një shteti palestinez.

Kryeministri Sharon: "Ka ardhur koha për krijimin e dy shteteve"

Vendimi u përshkrua si historik nga vëzhgues të çështjeve izraelite dhe përbën një fitore personale për kryeministrin Ariel Sharon. Ai kishte njoftuar të premten se personalisht ishte i gatshëm të mbështeste planin, pas një deklarate të qeverisë amerikane, në të cilën thuhej se shqetësimet izralite do të kihen parasysh gjatë zbatimit të hartës rrugore drejt paqes.

Para votimit, kryeministri Sharon tha për një gazetë izraelite se ka ardhur koha për krijimin e dy shteteve. Ai tha gjithashtu se ky nuk kishte qënë një vendim i lehtë.

Kryeministri Sharon tha se Izraelit do t’i duhet të bëjë lëshime të dhimbshme, përfshirë shpërnguljen e vend-banimeve hebraike në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës me qëllim që të arrihet një marrëveshje përfundimtare me palestinezët. //az//