SHBA: Konkurentët presidencialë demokratë kritikojnë mënyrën se si Presidenti Bush ka trajtuar luftën kundër terrorit - 2003-05-25

Anëtarët e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara kanë filluar të kritikojnë mënyrën se si Presidenti Bush e ka trajtuar luftën kundër terrorizmit, veçanësisht në valën e sulmeve terroriste këtë muaj në Arabinë Saudite dhe në Marok. Disa nga kritikët e Presidentit Bush janë edhe konkurentët e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004.

Senatori John Kerry nga Massachusetts tha në një program të rrjetit televiziv C-B-S se administrata e Presidentit Bush duhet të bëjë një punë më të mirë për të luftuar al-Qaidën dhe grupe të tjera terroriste. Zoti Kerry është ndërmjet 9 demokratëve që synojnë të fitojnë emërimin e partisë së tyre për zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. “Ne duhet të jemi më të fortë, më të zgjuar e më të vendosur. Veçanërisht, ne duhet të kemi një platformë më efektive në politikën tonë të jashtme për të krijuar atë bashkëpunim të nevojshëm për të ndërmarrë me të vërtetë një luftë kundër terrorizmit.”

Zoti Kerry dhe demokratë të tjerë filluan ta kritikonin ashpër Presidentin Bush pas sulmeve terroriste në Arabinë Saudite dhe në Marok. 8 amerikanë ishin mes 34 të vrarëve në shpërthimin që u krye në Rijad. Zyrtarë amerikanë dhe sauditë kanë shprehur bindjen se përgjegjësia për këto shpërthime vetvrasëse bie mbi al-Qaidën.

Senatori Bob Graham nga Florida është një tjetër kandidat presidencial që e ka kritikuar mënyrën e trajtimit të luftës ndaj terrorizmit nga Presidenti Bush. Zoti Graham foli në programin e rrjetit televiziv N-B-C se si do të kishte vepruar ai, po të ishte president. “Unë do ta vazhdoja luftën në Afganistan deri në fitoren e saj të plotë. Ne e kemi lejuar al-Qaidën, pasi e goditëm rëndë vitin e kaluar, të përtërihet, sepse i larguam burimet tona ushtarke dhe të zbulimit nga Afganistani për t’i përgatitur ato për luftën në Irak. Unë gjithashtu do t’u thosha sirianëve se ata duhet të ndërpresin strehimin dhe mbrojtjen e disa prej grupeve më terroriste në botë, siç është grupi Hezbollah, ose përndryshe ne do të krijonim një koalicion ndërkombëtar, ashtu si bëmë në Afganistan, për t’i dhënë fund kësaj praktike të Sirisë”.

Në fjalimin e tij javor në radio pas shpërthimeve në Arabinë Saudite, Presidenti Bush mbrojti strategjinë e tij në luftën kundër terrorizmit. Ai tha se administrata ka bërë përparim të ndjeshëm në shpartallimin e al-Qaidës, duke i prerë asaj burimet financiare dhe duke marrë masa që asnjë terrorist të mos sigurojë armë të shkatërrimit në masë nga Iraku. ”Megjithatë, tha Presidenti Bush, sulmet në Arabinë Saudite treguan se lufta kundër terrorizmit vazhdon”. “Armiqtë e lirisë nuk pushojnë, por nuk pushojmë as ne. Qeveria jonë po merr masa të pashembullta për të mbrojtur vendin. Dhe nga Pakistani dhe Filipinet, në Bririn e Afrikës, ne po ndjekim vrasësit e al-Qaidës. Deri tani, rreth gjysma e operativëve kryesorë të al-Qaidës janë kapur ose janë vrarë. Por ne do të vazhdojmë t’i ndjekim ata që kanë mbetur dhe do t’i nxjerrim para drejtësisë”.

Megjithë kritikat e demokratëve ndaj Presidentit Bush, masa e publikut amerikan e ka miratuar mënyrën se si Presidenti Bush e ka trajtuar luftën kundër terrorizmit. Mbetet për t’u parë se si do të ndikojnë këto sulme të demokratëve ndaj Presidentit Bush në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. //az//