Ministri koreano-jugor për Bashkimin e Koreve, Xheong Si-hjun, filloi bisedime të nivelit të lartë me zyrtarë në Phenian për të kërkuar që Koreja e Veriut të braktisë programet e saj të armëve bërthamore.
Ministri Si-hjun tha sot para bisedimeve se njoftimi i Koresë së Veriut ditët e fundit se ka armë bërthamore, nëse është i vërtetë, do të përbënte një shkelje të deklaratës së përbashkët të vitit 1992 të të dy vendeve. Kjo marrëveshje ua ndalon të dy vendeve zhvillimin, magazinimin apo zotërimin e armëve bërthamore.
Në Londër, Kryeministri japonez, Joniçiro Koizumi, bëri thirrje për një përgjigje të qetë ndaj atyre që ai i quajti provokime koreano-veriore.
Javën e kaluar, Koreja e Veriut u tha zyrtarëve amerikanë dhe kinezë se kishte tashmë armë bërthamore për të cilat mund të zhvillonte prova, mund t’i përdorte apo shiste, në varësi të qendrimit të Uashingtonit ndaj Phenianit.
Presidenti Bush dhe homologu i tij kinez, Hu Gjintao, diskutuan dje gjatë një telefonate 15-minutëshe lidhur me objektivin për të patur një Gadishull Korean pa armë bërthamore.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Bush përshëndeti pjesëmarrjen aktive të Kinës në bisedimet e fundit tre-palëshe në Pekin. Të dy udhëheqësit ranë dakord të qendronin në kontakt me njeri-tjetrin lidhur me zhvillimet koreano-veriore.
//ze//