Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se ristrukturimi i kohëve të fundit i Jugosllavisë në shtetin e ri, Serbia dhe Mali i Zi, është i panevojshëm dhe se duhet të rishqyrtohet.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se shteti i ri, sipas fjalëve të tij, është ”një martesë me trazira”. Në deklaratë thuhet se përpjekjet për nxitjen e qëndrueshmërisë rajonale, janë mbizotëruar gabimisht nga përpjekjet për mbajtjen e Malit të Zi dhe Serbisë në një vend të vetëm. Grupi e quajti shtetin e ri një zgjidhje”të përkohshme” dhe shtoi se në interesin mbizotërues të bashkësisë ndërkombëtare duhet të jetë gjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për rajonin.
Grupi tha se bisedimet e zgjeruara që çuan në krijimin e shtetit të ri, treguan mungesën e një qëllimi, apo koncensusi të përbashkët. Në deklaratën e Grupit Ndërkombëtar të Krizave theksohet se bashkimi i ri nuk përmend Kosovën. Grupi thotë se përsa kohë që statusi i Kosovës të mbetet i pazgjidhur, territori dhe përbërja kushtetuese e Serbisë dhe i bashkimit Serbia dhe Mali i Zi mbetet i papërcaktuar.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave është një organizatë e pavarur, jo-fitimprurëse që vëzhgon zhvillimet në botë në përpjekje për parandalimin e konflikteve.
//rd//