E ardhmja e partneritetit transatlantik - 2003-04-17

Lufta në Irak mund të jetë duke iu afruar një fundi të suksesshëm, por pasojat e mosmarrëveshjeve para luftës mes aleatëve transatlantikë mund të mos zhduken aq shpejt sa ç’shpresohet. Disa analistë thonë se tani po del në pah një "bosht i mospajtimit transatlantik" që shtrihet nga Parisi, në Berlin e deri në Moskë dhe mbështetet në çështjen e të sfiduarit të mbizotërimit të Amerikës në botë. Materiali në vazhdim analizon disa nga shkaqet e këtij realiteti të ri dhe pasojat që mund të sjellë ai.

Pavarësisht nga shpresat se lufta që po mbaron shpejt dhe bashkëpunimi për të rindërtuar Irakun do të ndihmojnë aleatët për të kapërcyer hendeqet, mosmarrëveshjet e Francës dhe Gjermanisë me Shtetet e Bashkuara nuk janë zhdukur. Shumë analistë thonë se lufta mund të jetë një pikë kthese për politikën e jashtme të Gjermanisë dhe Francës, po aq sa ç’ishin sulmet e 11 shtatorit për Amerikën.

Vendet evropiane duan që Shtetet e Bashkuara të mbeten të angazhuara tek institucionet ndërkombëtare, kryesisht Kombet e Bashkuara, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Por elementë brenda administratës aktuale amerikane përpiqen ta zvogëlojnë rolin e Kombeve të Bashkuara në marrjen e vendimeve me rëndësi ndërkombëtare dhe ta kufizojnë atë në dhënien e ndihmës humanitare në raste krizash.

Problemet mes aleatëve, pasqyrohen në nivel personal. Presidenti Bush dhe ai francez Jacques Chirac sapo kanë folur me njëri-tjetrin për herë të parë pas më shumë se dy muajsh. Kancelari gjerman Gerhard Schroeder foli për herë të fundit me Shtëpinë e Bardhë më 8 nëntor. Tensionet e vazhdueshme nuk mund të kapërcehen lehtë, sepse problemet janë serioze thotë Simon Serfaty, Drejtor i Programit Evropian në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington. “Nga këndvështrimi amerikan ato janë ekzistenciale dhe një model i terrorizmit ekzistencial nuk e lejon administratën amerikane që të jetë po aq e durueshme dhe tolerante ndaj aleatëve, sa ç’ka qenë më parë. Nga ana tjetër, Franca dhe të tjerë në Evropë janë të shqetësuar për mënyrën sesi u morën vendimet dhe për pasojat e luftës”, thotë Safarty.

Analisti thotë se marrëdhëniet amerikano-franceze nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë kaq të tendosura dhe shton se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë problemin thjesht me Francën, por me Evropën, pasi shumica dërrmuese e evropianëve janë kundër përdorimit të forcës.

Përsa i takon luftës me Irakun, Gjermania për herë të parë i sfidoi Shtetet e Bashkuara për një çështje sigurie dhe preferoi të përkrahte Parisin kundër Washingtonit. “Për qeverinë gjermane, përparësia më e madhe e politikës së jashtme është Evropa dhe kjo përcakton fatin e çdo qeverie. Politikat evropiane kanë më shumë ndikim, sesa çështjet e sigurisë në zona të largëta, siç është Lindja e Mesme. Gjermania i jep përparësi çdo çështjeje që forcon pozicionin e saj në Evropë”, thotë Gerard Livingston, ish-drejtor i Institutit Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane në Universitetin John Hopkins.

Kancelari gjerman Schroeder dhe Ministri i Jashtëm Joschka Fischer i takojnë atij brezi që po përpiqet me të gjitha forcat të shkëputet nga tutela amerikane. Pas humbjes së betejës për paqen mbi Irakun, të dy udhëheqësit janë të vendosur të hartojnë një politikë të re të jashtme dhe për sigurinë.

Po ashtu politika e re gjermane për mbrojtjen parashikon një ushtri profesioniste të aftë për t’u dislokuar kudo në botë, si edhe një përpjekje të përbashkët për të ngritur një forcë evropiane të ndërhyrjes së shpejtë. Ky vendim e pati burimin tek ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ku evropianët ishin shumë mbrapa Shteteve të Bashkuara përsa u takon aftësive ushtarake.

Disa analistë thonë se Washingtoni mund të dojë të ndërshkojë francezët dhe ndoshta edhe gjermanët përmes rrugëve ekonomike për kundërshtimin e tyre ndaj luftës. Por Simon Serfaty vë në dukje se francezët dhe gjermanët mund të kenë një plan të tyre për pas luftën: “Mundësia shkon në drejtim të Rusisë. Muajt e fundit kemi parë të dalë në pah një ’bosht i mospajtimit transatlantik’ që fillon në Paris kalon në Berlin e shkon deri në Moskë. Këta janë tri shtetet që kanë shprehur pozicione të përbashkëta dhe kjo lloj marrëdhënieje është e pashembullt në histori”, thotë ai.

Por analistët shtrojnë pyetjen se përsa kohë mund të zgjasë kjo aleancë? Si vendet evropiane ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, humbin shumë nëse cënojnë partneritetin transatlatik të sigurisë vendosur që prej rreth gjashtë dekadash dhe nëse dëmtojnë ekonominë transatlantike që qarkullon 2.5 trilionë dollarë çdo vit.

//rd//