Operacionet e koalicionit vazhdojnë në Bagdat, sikundër edhe në Irakun verior dhe perëndimor, ndërsa vazhdon rezistenca e mbeturinave të regjimit të Sadam Huseinit, një ditë pas përmbysjes së qeverisë.
Zyrtarët ushtarakë thanë se forcat e koalicionit po kryejnë operacione në një front të gjerë, përfshirë Bagdatin dhe përreth qyteteve Tikrit, Mosul dhe Kirkuk në Irakun Verior.
Gazetarët në Kirkuk thanë se forcat kurde Peshmerga kanë hyrë tashmë në qytet, veprim ky që kundërshtohet kategorikisht nga Turqia.
Drejtuesi i operacioneve në Komandën Qëndrore, gjenerali Gene Renuart tha se forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe la të kuptohet se nuk është i shqetësuar nga fakti se Turqia mund të hyjë në territorin irakian për të mbrojtur ato që i sheh si interesat e veta në atë zonë.
“Ne vazhdojmë të punojmë intensivisht me të dyja palët për të siguruar se qëllimi ynë është i qartë; kthimi i qëndrueshmërisë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha gjenerali.
Megjithëse kanë kapur pozicione në pesë vende të ndryshme në qytetin e Bagdatit, forcat amerikane luftuan në disa zona në qytet.
Gjenerali Renuart tha se operacionet ushtarake në kryeqytet nuk kanë përfunduar ende.
“Bagdati është ende një vend i zymtë. Shumë pjesë të qytetit janë jo të sigurta për forcat amerikane ose të pasigurta në përgjithësi, dhe ka vende të tjera ku besojmë se ka ende elementë të gardës republikane ose gardës speciale republikane dhe forcave paraushtarake”, tha gjenerali Renuart.
Ndërsa pushteti i rrëshqiti nga duart qeverisë irakiane në Bagdat, gati gjithë udhëheqja irakiane është zhdukur.
Fati i Sadam Huseinit mbetet i panjohur që nga e hëna kur avionët amerikan hodhën katër bomba me preçizion në një ndërtesë të Bagdatit ku besohej të ishte udhëheqësi irakian së bashku me këshilltarët e tij.
Forcat speciale njoftohet të kenë shkuar në atë zonë, dhe të kenë kërkuar në rrënoja për të përcaktuar nëse Sadam Huseini është vrarë.
Kërkimi për udhëheqësin irakian po përqëndrohet tani në qyetetin e tij të lindjes Tikrik, 160 kilometra në veriperëndim të Bagdatit, megjithëse ka patur spekulime se ai mund të ketë shkuar në Siri.
Udhëheqësit ushtarak thonë se po përqëndrohen në zonat në afërsi të qytetit Al Qa’im për arsye të vendndodhjes të tij strategjike, por nuk pranojnë të bëjnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis operacioneve dhe kërkimeve për Sadam Huseinin apo zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.
//rd//