Kryetari i parlamentit irakian, Sadun Hamadi, hodhi poshtë ultimatumin amerikan për veprim ushtarak, duke thënë se irakianët janë të bashkuar pas udhëheqësit të tyre, Sadam Husein.
Në fjalën e hapjes së një sesioni urgjent të parlamentit, zoti Hamadi tha të mërkurën se Iraku nuk do ta pranojë kërkesën amerikane dhe është i gatshëm të mbrohet.
Ministri irakian i Informimit tha më pas se trupat pushtuese amerikane dhe britanike do të përballen me vdekje të sigurt dhe jo me fitore të lehtë siç është parashikuar nga komandantët e tyre.
Qeveria irakiane organizoi dje demonstrata në Bagdad, në të cilat morën pjesë mijëra veta, shumë prej tyre të armatosur, për të treguar mbështetjen për presidentin Husein.
Edhe vetë udhëheqësi irakian bëri një paraqitje të rrallë në televizion në uniformë ushtarake dhe i tha kabinetit të tij se ai do të dalë fitimtar në çdo luftë.
Ndërkohë, irakianë po largohen me shumicë nga Bagdadi. Në Irakun verior, njoftohet se dhjetëra mijëra kurdë irakianë po përqendrohen në zona të sigurta malore në afërsi të kufirit me Turqinë, ku nuk mund të goditen nga raketat irakiane.
I gjithë personeli i Kombeve të Bashkuara, përfshirë inspektorët e armëve dhe punonjësit e ndihmave humanitare, është larguar nga Iraku. Edhe shumë diplomatë e gazetarë të huaj kanë filluar të largohen nga ai vend. //kk//