Kalendari Historik 6 shkurt - 2003-02-05

Më 6 shkurt të vitit 1778, Karolina e Jugut u bë shteti i parë që ratifikoi Artikujt e Konfederatës dhe Bashkimin e Përheshëm, që ishte karta e parë kombëtare e Shteteve të Bashkuara. Kongresi amerikan kishte përpiluar variantin e parë të dokumentit, si një dokument të përkohshëm të qeverisë, derisa Lufta Revolucionare solli pavarësinë nga Anglia. Përveç disa të metash të vogla, artikujt e konfederatës realizuan bashkimin e kombit amerikan, si një konfederatë shtetesh sovrane gjatë Luftës Revolucionare. Por sipas historianit të Universitetit të Kalifornisë Robert Middlekauff, me arritjen e pavarësisë, dobësitë e Artikujve të Konfederatës filluan të përbënin kërcënim për aleancën midis shteteve.

“Dështimi i Artikujve të Konfederatës u pa sidomos në paaftësinë e instrumentit kryesor të qeverisë, Kongresit amerikan, për të ushtruar pushtetin e vet. Elementi i parë që i mungonte pushtetit, ishte aftësia për mbledhjen e taksave dhe sigurimi i një të ardhure që do të bënte të mundur zbatimin e përgjegjësive të tjera të një qeverie kombëtare,” thotë historiani Middlekauff.

Më 6 shkurt të vitit 1933, Sekretari amerikan i Shtetit, Cordell Hull shpalli ratifikimin e Amendamentit të 12-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Amendamenti ndryshonte datën për fillimin e termit të presidentit dhe nënpresidentit amerikan nga 4 mars, më 20 janar. Sipas këtij amendamenti, gjithashtu ndryshohej data e fillimit të punës së kongresit të ri nga 4 mars që ishte më parë, në 3 janar. Si nxitje për Amendamentin shërbeu nevoja për ndërmarrjen e veprimeve të shpejta gjatë krizës së atëhershme të Depresionit të Madh. Ndonëse Franklin Roosvelt u zgjodh president tre muaj më parë, në nëntor të vitit 1933, programet e tij nuk mund të fillonin të zbatoheshin para se ai të bënte betimin si president. //ad//