Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale Mëngjesi i Lutjeve që zhvillohet çdo vit në Uashington. Presidenti Rugova u takua dje me ish senatorin Bob Dole, i cili tha se Kosova nuk është harruar në Shtetet e Bashkuara megjithë zhvillimet e rëndësishme botërore. Presidenti Rugova dhe ish senatori Dole bënë këto komente për Zërin e Amerikës.
Presidenti Rugova: Në Kosovë për 3 vjet e gjysmë është bërë përparim i madh në të gjitha fushat e jetës. Faza e emergjencës, e rindërtimit gati është kryer dhe tani objektivi i institucioneve tona, i qeverisë, i parlamentit dhe i presidentit është zhvillimi ekonomik, investimet, privatizimi që duhet filluar për të krijuar sa më shumë vende pune për të rinjtë e Kosovës. Unë punoj që njohja formale e pavarësisë të kryhet sa më shpejt sepse do të na ndihmonte në këtë program të objektivave ekonomike, pra që të kemi qasje në institucionet financiare ndërkombëtare, pra sepse tani duhet të marrim kredi që të zhvillohemi dhe gjithsesi të krijojmë një stabilitet më të madh në Kosovë. Perspektiva është e mirë dhe baza e kësaj është fryma dinamike e popullit të Kosovës. Kryesore është një Kosovë e pavarur e integruar në strukturat veriatlantike, në Nato, në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Ky është testamenti i popullit, i institucioneve të Kosovës dhe i presidentit të saj.
Senatori Dole: Mendoj se është e rëndësishme zhvillimi i këtyre kontakteve. E di se presidenti Rugova ka bërë një udhëtim të gjatë për të ardhur këtu por vetëm fakti që ai mban këto lidhje me popullin amerikan, qoftë përmes Mëngjesit të Lutjeve, takimeve në Shtëpinë e Bardhë apo me dikë tjetër, i ruan këto marrëdhënie që ne po ndërtojmë. Dhe këto janë marrëdhënie shumë të forta midis atyre që duan pavarësinë në Kosovë dhe në Shtetet e Bashkuara. Natyrisht që Presidenti Rugova ka shumë miq në Shtetet e Bashkuara dhe ka qenë shumë herë këtu.
Nëqoftëse dikush lexon gazetat mund të thotë se për Kosovën nuk thuhet ndonjë gjë dhe kjo është e vërtetë. Por njerëzit në Kongres, ata që duhet të dinë për këto çështje, ata që merren me caktimin e fondeve, nuk e kanë lënë Kosovën jashtë vemendjes. Me zhvillimet e tanishme, si Koreja e Veriut, Iraku dhe tragjedia e anijes Kolumbia, për Kosovën mund të mos lexosh në gazeta por s’ka dyshim se ajo nuk është harruar. Ne nuk e kemi harruar Kosovën, ne nuk i kemi harruar detyrimet tona, nuk i kemi harruar premtimet që i kemi bërë popullit të Kosovës. Dhe misioni im është kryesisht të ndihmoj sa të mundem për të garantuar se njerëzit nuk do të harrojnë se çfarë kanë thënë në të kaluarën.
//rd//