Kolumbia luan rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit - 2002-12-18

Kolumbia po luan një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit global. Por Kolumbia vetë është përfshirë në një luftë të brendshme kundër terrorizmit dhe trafikantëve të drogës të cilët e financojnë atë. Shtetet e Bashkuara janë partnerë të Kolumbisë për ta shpëtuar atë nga murtaja e narko-terroristëve dhe për ta ndihmuar të realizojë dëshirën e saj për siguri, demokraci dhe begati. Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, ka thënë, ”se në këto përpjekje Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah Kolumbisë.”

Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur dy grupet marksiste, Ushtria Kombëtare e Çlirimit dhe Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, si organizata terroriste. Në listë si terroristë është përfshirë edhe grupi ekstremist i krahut të djathtë, Forcat VetëMbrojtëse të Bashkuara të Kolumbisë. Më 1 dhjetor, ky grup deklaroi se kishte filluar një armëpushim të njëanshëm. Zoti Powell u shpreh se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë këtë vendim si një hap pozitiv përpara, por mbetet ende shumë për t’u bërë për të arritur një armëpushim të vërtetë dhe për t’u ulur në bisedime, që do të çonin në zgjidhjen e problemit të forcave paraushtarake.”

Siç ka thënë sekretari Powell, ”ne nuk duhet t'i shohim këto grupe si luftëtarë triumfatorë të lirisë. Ata janë thjesht terroristë, të cilët për vite me rradhë janë përpjekur të minojnë shpresat e popullit kolumbian për një qeveri që i përqëndron energjitë dhe burimet e saj për zhvillimin ekonomik, arsim, kujdesin shëndetësor, në vënd që t'i përdorë ato për të luftuar terrorizmin dhe trafikantët e drogës.”

Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e presidentit kolumbian, Alvaro Uribe, në luftën kundër terrorizmit. Por ai është i angazhuar edhe për përparimin ekonomik dhe shoqëror të Kolumbisë. Me përmirësimin e kushteve të sigurisë, do të rriten edhe mundësitë për investime dhe do të krijohen më shumë vende pune. Njerëzit do t'i kuptojnë përfitimet që vijnë nga mbështetja e proceve demokratike.

Këtë vit, nëpërmjet programit Plani Kolumbia dhe programeve të tjera, pjesë e Ligjit mbi Preferencën e Tregtisë së Andeve dhe Zhdukjen e Drogës, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë qeverisë kolumbiane ndihma prej 1 miliardë e 800 milionë dollarësh. Rreth dy të tretat e kësaj shume janë përdorur për të luftuar trafikantët e drogës dhe organizatat terroriste, ndërsa pjesa tjetër është përdorur për mbështetjen e demokracisë dhe të progameve kundër korrupsionit, si dhe për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit. Siç ka thënë sekretari Powell, ”është e qartë që mbetet ende shumë për tu bërë.”//xh//