Donald Braum, Zëvendësdrejtor për Kosovën në Zyrën e Departamentit amerikan të Shtetit për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore, i tha Zërit të Amerikës se megjithë përparimin që është arritur, në Kosovë është e nevojshme të forcohet shteti juridik, të shtohet numri i personave të kthyer dhe kuvendi të përshpejtojë punën. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Braum tha se përfshirja e Kosovës në preambulën e kushtetutës së Serbisë dhe Malit të Zi nuk duhet të shihet si shqetësim nga shqiptarët.
EB: Zoti Braum, a mund të na jepni një vlerësim se si i shohin Shtetet e Bashkuara zhvillimet në Kosovë dhe sfidat kryesore me të cilat përballet aktualisht vendi?
DB: Mendoj se që nga qershori i vitit 1999 është bërë shumë përparim. Kosova nuk njihet më po të krahasohet me atë kohë. Janë zhvilluar tre raunde zgjedhjesh, që mendoj se kanë qenë shumë të mira, dy zgjedhje vendore dhe një mbarëkombëtare në nëntor 1991. Pra mendoj se ka patur mjaft përparim. Në Kosovë ka një qeveri koalicioni, ekzistojnë instucionet e përkohëshme të vetqeverisjes. Natyrisht, ka edhe disa aspekte ku është e nevojshme të vazhdojmë të përqendrohemi shumë: njëri aspekt është vazhdimi i përpjekjeve për të përmirësuar gjendjen e shtetit juridik, për të forcuar institucionet siç janë shërbimi policor, sistemi gjyqësor, lufta kundër dhunës dhe krimit të organizuar. Është e nevojshme të bëhet përparim në aspektin e kthimit të të shpërngulurve. Deri tani, numri i të kthyerve është shumë më i vogël se sa ne kishim shpresuar. Mendoj se ne mund të bëjmë mjaft përparim përsa i përket kthimit të të shpërngulurve duke filluar nga pranvera e vitit që vjen dhe kjo ka për të qenë një nga pikat ku ne do ta përqendrojmë së tepërmi vemendjen në mbështetjen tonë për praninë ndërkombëtare në Kosovë për të bërë të mundur që kthimi i këtyre personave të bëhet në një numër shumë më të madh se sa deri tani. Një aspekt tjetër ku duhet të përqendrohemi është ekonomia. Ekziston një nevojë e jashtëzakonëshme për të krijuar më shumë vende pune, për investime në prodhim, për të përmirësuar gjendjen në bujqësi, për të gjetur mënyra që Kosova të integrohet edhe në ekonominë rajonale të Ballkanit. Pra mendoj se këto do të jenë fushat kryesore ku ne do ta përqendrojmë vemendjen gjatë vitit të ardhshëm.
EB: Zoti Braum, po mbushet një vit nga themelimi i institucioeneve të para demokratike në Kosovë. Si kanë funksionuar këto institucione?
DB: Mendoj se përparimi ka qenë në shkallë të ndryshme. E kuptoj se ka patur një numër rrethanash shumë të vështira, si infrastruktura. Për shembull gjetja e një ndërtese për Kuvendin dhe të zyrave për të 120 deputetët, telefonat, fakset, të gjitha këto mjete bazë kërkuan kohë për t’u vendosur. Por mendoj se ka patur një farë përparimi. Para pak ditësh, kuvendi festoi 1 vjetorin e tij. Janë miratuar 10 paketa legjislative, prej të cilëve 2 janë shndërruar në ligj nga përfaqësuesi i posaçëm Steiner. Mendoj se këto janë arritje të arësyeshme. Por nëse mendojmë për atë që mbetet për tu bërë në shumë aspekte, si për shembull krijimi i një kornize ligjore bazë, mbetet shumë punë për të bërë. Mendoj se duhet të presim që kuvendi dhe kryesia e tij të përshpejtojnë punën gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm. Kjo është shumë e rëndësishme për Kosovën. E përsëris se është arritur një farë përparimi por mbetet shumë për tu bërë.
EB: Sa vemendje gezon Kosova në nivelet e larta të administrates amerikane duke marrë paraysh angazhimin pothuajse total të Shteteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar?
DB: Kosova është ende një nga përparësitë e Uashingtonit. Mbeten ende shumë punë të papërfunduara, siç janë arritja e standardeve, realizimi i kthimit të të shpërngulurve, krijimi i një situate më të mirë për popullin e Kosovës. Ne vazhdojmë të mendojme se mund të ecim përpara në Kosovë në mbështetje të UNMIK-ut, së bashku me miqtë tanë në komunitetin ndërkombëtar. Mendoj se interesimi ynë shprehet për shembull në takimin që pati këto ditë sekretari i shtetit Colin Powell me përfaqësuesin e posaçëm Steiner. Gjithashtu, kohët e fundit në Departamentin e Shtetit kemi pritur kryeministrin Rexhepi, këshilltarin e presidentit Rugova, zotin Hyseni. Pra, këtu në Uashington, ne vazhdojmë ta përqendrojmë vemendjen te Kosova dhe mund t’ju siguroj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme e planit të parë për Shtetet e Bashkuara, e cila nuk do të dalë jashtë vemendjes për shkak të luftës kundër terrorizmit.
EB: Zoti Baum, a kanë Shtetet e Bashkuara një ide te qartë mbi procesin për vendosjen e së ardhshmes së Kosovës?
DB: Tani për tani, ne në fakt nuk po e përqendrojmë vemendjen te çështja e statusit përfundimtar të Kosovës. Vemendja jonë po përqendrohe tek standardet si dhe tek përpjekjet e mëdha që mbeten për tu bërë për arritjen e këtyre standardeve dhe për ta shtyrë Kosovën përpara në drejtimin e duhur, pavarësisht se cili mund të jetë statusi përfundimtar i Kosovës. Ne shpresojmë se zyrtarët e institucioneve të përkohëshme të vetqeverisjes në të 30 komunat do ta përqendrojnë të gjithë vemendjen në mënyrat për ta bërë Kosovën të funksionojë. Ky është një parakusht për të filluar shqyrtimin e procesit që do të çojë në statusin përfundimtar. Ky proces mund të matet. Ne mund t’i marrim standardet një nga një dhe të gjykojmë se sa përparim është bërë. Një nga këto standarde është dialogu me Beogradin. Mendoj se ky është një aspekt ku duhet përqendruar për të gjetur fusha praktike ku përfaqësuesit e Kosovës mund të gjejnë gjuhë të përbashkët me përfaqësuesit e Serbisë, si për sa i përket energjisë, pensioneve apo ndonjë aspekti tjetër. Mendoj se kjo është diçka e rëndësishme ku duhet përqendruar mjaft vemendja.
EB: Në hyrjen e kushtetutes së shtetit të ri të Serbisë dhe Malit të Zi thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë. Kjo ka ngjallur shqetësime në Kosovë. A e paragjykon kjo statusin përfundimtar të Kosovës?
DB: Aspak. Përsa i takon Kosovës, ajo që ka rëndësi në të vërtetë është rezoluta 1244 e Këshilit të Sigurimit. Kjo nuk ndikohet nga marrëveshjet e tjera dypalëshe apo shumëpalëshe. Ky është standardi për Kosovën. Lidhur me faktin që ajo përmendet në hyrjen e Kushtetutës, siç e dini, termat që përdoren në hyrjet e Kushtetutave nuk kanë fuqi ligjore, pra kjo nuk është diçka që duhet të na shqetësojë, pra që duhet të shqetësojë popullin e Kosovës.