Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se nuk ka dyshim që Iraki zotëron armë të shkatërrimit në masë.
Në një intervistë me rrjetin televiziv, CNN, zoti Rumsfeld tha se çështja tani është nëse qeveria irakiane ka vendosur apo jo të veprojë në përputhje me rezolutat e OKB-së dhe të çarmatoset. Ai i bëri thirrje Irakut që të japë të gjithë informacioni rreth armëve që ka dhe të marrë pjesë në procesin me inspektorët e OKB-së për të çarmatosur vetveten.
Zoti Rumsfeld, i cili ndodhet për vizitë në Katar, bëri sot një turne në një bazë ushtarake amerikane në perefiri të kryeqytetit Doha, dhe zhvilloi bisedime me gjeneralin amerikan, Tommy Franks.
Dje, Sekretari Rumsfeld nënshkroi me Katarin një marerëveshje, e cila lejon forcat ushtarake amerikane të modernizojnë objektet në bazën e rëndësishme ajrore al-Udeid, e cila ka pistën më të gjatë në rajonin e Gjirit Persik, pothuajse 5 mijë metra.
Iraku e dënoi këtë marrëveshje. Gazeta zyrtare al-Thaura thotë se synimi i bazave amerikane në rajonin e Gjirit Persik është të ndryshohet harta e Lindjes së Mesme.
Ndërkohë, inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët në Irak vizituan sot objekte të tjera që dyshohen se përdorën për armë të shkatërrimit në masë, përfshirë një instalim ushtarak ku prodhohen kallëpe. Ekspertë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike vizituan kompazninë Al Nidaa në një lagje periferike të Bagdadit. Ekipe të tjera të Agjencisë dhe të Komisionit të OKB-së për Verifikim dhe Inspektim bënë kërkime në disa objekte të ndryshme në gjithë vendin.//xh//