Takim për të ardhmen e Kosovës - 2002-12-06

Të enjten, 5 dhjetor, këtu në Washington u organizua një takim për të diskutuar për të ardhmen e Kosoves. Në takimin e organizuar nga drejtori i nismës për Ballkanin në Institutin Amerikan të Paqes, Daniel Serwer, merrnin pjesë zyrtarë dhe specialistë që mbulojnë Ballkanin nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa perëndimore. Meqë takimi ishte me dyer te mbyllura, zoti Serwer nuk pranoi të japë emrat e pjesëmarrësve në të.

Sipas organizatorit, pjesëmarrësit në takim shprehen mendimet e tyre personale dhe jo të institucioneve apo organizatave që përfaqësonin. Zoti Serwer theksoi se takimi ishte shumë fillestar, u hodhën në tryezë dhe u diskutuan tezat e ndryshme për të ardhmen e Kosovës. Në të nuk u mor asnjë vendim dhe vëmendja u përqëndrua tek procesi që duhet ndjekur për statusin përfundimtar dhe jo se çfarë forme do të ketë ky status. Sipas zotit Serwer kishte pjesëmarrës në takim që mbrojtën tezën se statusi duhet përcaktuar shpejt, ashtu si pati edhe te tjerë që dhanë se procesi duhet të ecë më ngadalë. Megjithatë, zoti Serwer thotë se të gjithë pjesëmarrësit ishin të një mendimi se “Kosova nuk mund të kthehet më nën qeverisjen e Beogradit. Prandaj lind pyetja se ç’do të bëhet? Te gjithë e kanë të qartë që ky është një problem për t’u zgjidhur. Të gjithë, po ashtu, ranë dakort se procesi i standarteve të vendosura nga OKB-ja është shumë i rëndësishëm dhe se UNMIKU veproi drejt duke i vendosur këto standarte te qarta që duhen plotësuar. Dhe një nga standartet që ka ardhur koha të fillojë të plotësohet është dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës. Shumica e të pranishmëve u shprehën se ky dialog për çështje konkrete duhet të fillojë, pavarësisht nga forma që do të ketë statusi përfundimtar. Ka shenja të paktën nga ky grup zyrtarësh e specialistësh se UNMIKU po ecën në drejtimin e duhur”, tha zoti Serwer.

Megjithatë zoti Serwer e pranon se për fillimin e dialogut ka pengesa si në Beograd edhe në Prishtinë. Serbia është ende me zgjedhje presidenciale te papërfunduara kurse në Prishtinë vihet re një ndjenjë nervozizmi për të biseduar me Beogradin, megjithëse ka shenja se kjo po kapërcehet, njerëzit po e pranojnë se ky është një hap që nuk mund të shmanget.

Shqiptarët gjithnjë e më shumë po këmbëngulin për fillimin e procesit. “Por në fakt procesi në një farë mënyre mund të quhet i filluar pikërisht me takime te tilla”, tha zoti Sewer. Ndonëse pjesemarrësit në takimin e djeshëm shprehen mendimet e tyre personale, janë pikërisht këta analistë që përgatisin raportet dhe që ndikojnë në procesin e vendim-marrjes. Sipas zotit Serwer tani ka ardhur koha për ta marrë më seriozisht mendimin e të gjitha palëve të interesuara, të shqiptarëve, të serbëve, të pakicave të tjera, të Shteteve të Bashkuara të Bashkimit Evropian, të Rusisë si dhe ka ardhur koha për një bashkërendim të politikave të fuqive te huaja për çështjen e Kosovës. “Bashkimi Evropian për shembull kerkon konsolidimin e shteteve për integrimin e tyre në strukturat e ndryshme evropiane dhe në këtë proces, thotë zoti Sewer, Kosova nuk mund te mbetet jashte, pra duhet ditur se cfare forme do te marre ajo ne te ardhmen”.

Procesi i integrimit për Ballkanin që është mirëpritur nga këto vende, kërkon më parë ekzistencën e shteteve funksionuese. Është e qartë se procesi i asocim stabilizimit dhe anëtarësimi në strukturat evropiane, në Nato, janë të gjitha të bazuara në premisën e ekzistencës se shteteve fuksionuese. “Kosova nuk është vendi i vetëm ku mungon një shtet funksionues në Ballkan, por është një prej tyre ku ka nevojë për një shtet dhe për një shkallë sigurie se çfare forme do të ketë ky shtet sot dhe çfarë forme në të ardhmen. Të gjithë e kanë të qartë se kjo nuk mund të zgjidhet menjëhere, por do të zgjidhet brenda disa vjetesh”, tha zoti Serwer.

Në takim u prek edhe çështja e pavarësisë. Por, sipas zotit Serwer, mendimet e shprehura ishin shumë të përgjithshme dhe nuk pati një konsensus të vetëm. U shprehën ide nga më të ndryshmet, një pjesë që e mbështesnin pavarësinë dhe një pjesë që e kundërshtonin atë. Por këto opinione ishin shumë të përgjithshme, pasi takimi u përqëndrua në procesin që duhet ndjekur dhe jo ne formën e statusit. Por një mendimi i përgjithshëm mes pjesëmarrësve ishte se çdo zgjidhje që do gjendet duhet te kalojë përmes Këshillit të Sigurimit, pasi vetëm Keshilli i Sigurimit mund të ketë të drejtën për të ndryshuar rezolutën 12-44 dhe vetëm ndryshimi i kesaj rezolute do te zgjidhte çështjen e statusit përfunditar të Kosovës. Pra kjo do të thotë që më parë duhet përcaktuar procesi, para se t’i paraqitet një propozim Këshillit të Sigurimit që ai të veprojë.