Kalendari Historik 7 dhjetor - 2002-12-02

Më 7 dhjetor 1842, Orkestra Filarmonike e Nju Jorkut dha koncertin e saj të parë. E themeluar nga Uriah Corelli Hill, një violinist që kishte trashëguar pasuri, orkestra filarmonike ishte një shoqatë muzikore kooperuese, ku anëtarët zgjidhnin dirigjentin dhe ndanin ndërmjet tyre fitimet nga koncertet. Orkestra Filarmonike e Nju Jorkut e hapi programin e saj të parë me Simfoninë e Pestë të Bethovenit.

Filarmonia interpretoi gjithashtu Uverturën e operas Oberon të Weberit, si edhe një skenë nga Fidelio e Bethovenit. Sipas kritikëve të kohës, shfaqja linte për të dëshiruar.

Megjithatë Orkestra Simfonike e Nju Jorkut e ngriti nivelin e shfaqjeve, duke vendosur një standard të hershëm për orkestrat amerikane. Sot ajo konsiderohet si një ndër orkestrat më në zë të botës.

Si sot 60 vjet më parë, në mëngjesin e së dielës së 7 dhjetorit të vitit 1941, qindra aeroplanë luftarakë japonezë, dolën nga një qiell me re dhe sulmuan bazën detare të Shteteve të Bashkuara në Pearl Harbour, të ishujve Havai. Duke u vërsulur nga të gjitha pikat e horizontit, aeroplanë japonezë të nisur nga aeroplanëmbajtëset, bombarduan, siluruan dhe mitraluan flotën e ankoruar, aerodromet e afërta dhe gazermat e ushtrisë. Me një goditje të vetme japonezët paralizuan pjesën më të madhe të flotës ushtrako-detare amerikane të Paqësorit. Më se 2 mijë e 300 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane dhe një mijë e 200 civilë humbën jetën në këtë sulm. Sulmi që u krye ndërsa një delegacion diplomatësh japonezë ndodhej në Uashington për bisedime me Sekretarin e Shtetit, Cordell Hull, ishte krejt i befasishëm. Shumë amerikanë as që e dinin se ku ndodhej Pearl Harbouri, deri në çastin kur emisionet flesh të lajmeve ndërprenë programet e tyre të zakonshme. Të nesërmen, më 8 dhjetor 1941, Kongresi i Shteteve të Bashkuara votoi për t’i shpallur luftë Japonisë. //rd//