Zyrtarët irakianë bashkëpunojnë me inspektimet - 2002-11-26

Inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët thonë se zyrtarët irakianë bashkëpunuan të mërkurën, kur filloi kontrolli për armët e ndaluara të shkatërrimit në masë në bazë të një rezolute që ka si synim çarmatimin e Irakut.

Zyrtarët e OKB-së të ngarkuar për ispektimin thanë se kontrollet e të mërkurës shënuan një fillim të mirë. Inspektorët thonë se atyre iu dha menjëherë leje të kontrollonin ato pika që dëshironin dhe u mirëpritën në mënyrë profesioniste. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, tha se bashkëpunimi duhet të vazhdojë me qëllim që të shmanget konflikti ushtarak.

Ekipi i inspektorëve u nda në dy grupe, një prej të cilëve shkoi në komplekset e mëdha ushtarake në lindje të Bagdadit, ndërsa tjetri kontrolloi një kompleks të vogël industrial në veri-lindje të kryeqytetit. Zyrtarët irakianë në vendet e kontrollit thanë se u habitën kur inspektorët mbërritën të mërkurën.

Menjëherë pasi ispektorët ishin gati të fillonin punën, sirenat për lajmërimin e inkursioneve ajrore buçitën në Bagdad, të pasuara nga sinjali për zbrazjen e rrugëve rreth 10 minuta më vonë. Një zyrtar i mbrojtjes civile irakiane citohet të ketë thënë se sinjali i alarmit u dha pasi avionë perëndimorë fluturuan mbi kryeqytetin e Irakut.//ic//