Inspektorët e armëve në Irak gati të fillojnë nesër kërkimet për armë të ndaluara - 2002-11-25

Inspektorë të Kombeve të Bashkuara për armët ndodhen në Irak dhe gati të fillojnë nesër kërkimet për armë të ndaluara të shkatërrimit në masë për herë të parë në gati 4 vjet.

Ekipi prej 17 inspektorësh mbrriti në Bagdad dje. Krye-inspektori Hans Blix tha se inspektorët janë të autorizuar të shkojnë kudo dhe në çdo kohë.

Ai i bëri këto komente dje në New York pasi informoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi vizitën e tij kohët e fundit në Irak. Zoti Blix tha se Bagdadi duhet të japë prova bindëse në se dëshiron që bota të besojë pretendimet e tij se nuk ka armë të ndaluara.

Ndërkaq, kryeministri britanik, Tony Blair, tha se rezervon të drejtën për të sulmuar Irakun në rast se presidenti Sadam Husein nuk përfill rezolutën e ashpër të Kombeve të Bashkuara, e cila kërkon që Bagdadi të heqë dorë nga armët kimike, biologjike dhe bërthamore, që mund të ketë. Kryeministri Blair i bëri këto komente disa orë para se parlamenti britanik mbështeti rezolutën e OKB-së.

Në një zhvillim tjetër, Këshilli i Sigurimit zgjati për 9 ditë afatin e programit të Irakut naftë për ushqime pasi Shtetet e Bashkuara nuk pranuan ta zgjasnin programin edhe periudhën e zakonshme 6 muajore. Këshilli i Sigurimit e mori këtë vendim dje, vetëm disa orë para se të skadonte afati i programit.

//ze//