Më 19 nëntor të vitit 1874 u themelua në Cleveland të shtetit Ohio Bashkimi i Grave të Krishtera Kundër Pijeve Alkoolike. Ky hap pasonte fushatën e grave kundër pijeve alkoolike, të vitit 1873, kur gratë në 23 shtete të Shteteve të Bashkuara, shkuan pijetore më pijetore duke kënduar himne fetare, duke thënë lutje dhe duke iu lutur pronarëve të pijetoreve që të mos shisnin pije alkoolike. Në vitin 1919 u miratua një amendament i kushtetutës që ndalonte prodhimin, transportin ose shitjen e pijeve alkoolike në Shtetet e Bashkuara. Kjo ishte fitorja më e madhe e arritur nga Bashkimi i Grave të Krishtera dhe i organizatave të tjera që luftonin kundër pijeve alkoolike. Por kjo fitore nuk zgjati shumë. Më 1933 amendamenti për ndalimin e pijeve alkoolike u shfuqizua. Organizata Bashkimi i Grave të Krishtera Kundër Pijeve Alkoolike vazhdon të ekzistojë. Megjithëse jo shumë e njohur apo me influencë në Shtetet e Bashkuara, organizata ka më se një milion anëtare dhe degë në mjaft vende. Anëtaret e organizatës përpiqen t’i njohin njerëzit me rreziqet e mundshme të pijeve alkoolike, narkotikëve dhe duhanit.
Më 19 nëntor 1863 presidenti Abraham Lincoln mbajti fjalimin e tij më të famshëm, me rastin e përurimit të një varreze ushtarake në Gettysburg të Pensilvanisë. Varreza ishte vendosur pjesërisht në një nga fushëbetejat më të përgjakshme të historisë amerikane, në vendin ku u zhvillua një betejë vendimtare gjatë Luftës Civile Amerikane të viteve 1860. Ndonëse kishte qenë ideja e presidentit Linkoln që një pjesë e fushë-betejës të përurohej si varrezë, atë nuk e ftuan të flasë në ceremoni. Presidenti Lincoln, ishte ftuar në shenjë respekti, por pak vetë prisnin që ai të pranonte ftesën. Ai në fakt shkoi dhe iu kërkua që të thoshte vetëm disa fjalë për ngjarjen, pasi oratori kryesor të përfundonte fjalimin e tij dyorësh. Në atë kohë 10 fjalive të zotit Lincoln iu kushtua pak vëmendje, por tani ato përbëjnë një nga fjalimet e përmendura më shpesh në historinë amerikane. //az//