Presidenti Bush: Iraku duhet të çarmatoset - 2002-11-11

Presidenti Bush foli para një grupi veteranësh në Shtëpinë e Bardhë, burra me flokë të thinjura të veshur me uniformën e tyre të kohës së rinisë. Ai lavdëroi trimërinë e tyre në luftrat e shkuara dhe foli për sfidat me të cilat përballet Amerika tani, në fillim të shekullit të ri.

Presidenti theksoi nevojën e vazhdimit të luftës kundër terrorizmit si dhe për t'ju kundërvënë kërcënimit që paraqet udhëheqësi i Irakut, Sadam Hussein. “Kjo është një detyrë urgjente për Amerikën dhe botën, pasi ngjarjet e 11 shtatorit demonstuan qartë se një kërcënim që mblidhet në një atë të botës mund të sjellin vuajtje për vendin tonë”.

Zoti Bush tha se rreziku që vjen nga Iraku është i qartë dhe theksoi se Bagdati duhet të dorëzojë armët e tij të shkatërrimit në masë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit të OKBsë janë të vendosura për të siguruar që Iraku nuk prodhon ose disponon armë kimike, biologjike apo bërthamore. “Iraku premtoi të çarmatosej më shumë se një dekadë më parë. Ka kaluar një dekadë mashtrimesh sistematike, detyrime të paplotësuara dhe shkelje të pagjykuara. Këtyre lojrave iu ka ardhur fundi”, tha presidenti.

Zoti Bush tha se nëse Saddam Hussein vazhdon të kundërshtojë thirrjet ndërkombëtare për tu çarmatosur, Shtetet e Bashkuara do të drejtojnë koalicionin për ta çarmatosur atë. Presidenti Bush tha se dëshira e Irakut për të zhvilluar dhe përdorur armë të shkatërrimit në masë duket qartë dhe kësaj duhet ti kundërvihemi para se Bagdati të sulmojë të tjerët. “Dhe në se veprimet ushtarake janë të nevojshme për sigurinë tonë, unë do të angazhojë gjithë forcën dhe fuqinë ushtarake amerikane dhe ne do të dalim fitimtar”, tha presidenti.

Zoti Bush tha se Shtetet e Bashkuara nuk luftojnë popullin irakian. Ai tha se ata meritojnë një jetë më të mirë nën një regjim të ri dhe paqësor. Presidenti hodhi një vështrim mbi ushtarët veteranë të mbledhur në pritjen në Shtëpinë e Bardhë dhe tholi për rolin e tyre si çlirimtarë në luftrat e kaluara. Ai tha se qëllimi në Irak mbetet i njëjtë. “Ne nuk kemi ambicje territoriale. Ne nuk kërkojmë të ngremë perandori. Vendi ynë është i vendosur të luftojë për lirinë tonë dhe të të tjerëve”, tha presidenti.

Zoti Bush e nisi ditën e sotme (11 nëntor) të veteranëve me një vizitë në memorialin e luftës së Vietnamit në Washington. Ai ka në plan të marrë pejsë në një ceremoni që do të zhvillohet në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit ku janë të varrosur breza të tërë amerikanësh të rënë në luftra.

//rd//