Turqi: Fitore dërrmuese e partisë me bazë islamike - 2002-11-04

Një parti e re politike me bazë islamike, po përgatitet të formojë një qeveri të re në Turqi, pas një fitoreje dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme, që i siguron asaj një shumicë absolute në parlament.

Fitorja e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, të krijuar një vit më parë, e cila nuk ishte vënë në provë deri tani, është një humbje e rëndë për Kryeministrin Bulent Ecevit dhe koalicionin e tij tripartiak, që nuk do të ketë anjë vend në parlamentin e ri.

Drejtuesit e AKP-së do të takohen nesër për të diskutuar se cili do të jetë kryeministri i ri.

Në zgjedhjet e së shtunës, AKP-ja fitoi 363 vende në parlamentin me 550 vende. Vetëm një parti tjetër mori mbi 10 për qind të votave, minimumi i nevojshëm për të hyrë në parlament. 16 partitë e tjera nuk u kualifikuan. Partia Republikane e Popullit, një parti laike e formuar nga themeluesi i shtetit turk, Mustafa Kemal Ataturk do të ketë 180 vende në parlament. Kandidatë të pavarur do të zënë nëntë vendet e mbetura.

Kreu i AKP-së u përpoq menjëherë të zbusë shqetësimet se mos partia e tij ka një program të fshehur Islamik për Turqinë. Ish-kryetari i Bashkisë së Stambollit, Recep Tayyip Erdogan thotë se partia e tij do të punojë për të përshpejtuar përpjekjet drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe do të zbatojë një program ekonomik për ta integruar Turqinë me pjesën tjetër të botës.

Zotit Erdogan nuk i lejohet të jetë kryeministër, apo deputet, sepse katër vjet më parë u dënua për nxitje të urrejtjes fetare.//kk//