Lopez cilësohet artistja më me influencë në modë nga VH1-Vogue - 2002-10-17

Kanali televiziv VH1 dhe revista Vogue dhanë këtë javë çmimet e tyre për muzikën dhe modën. Karolina Kourkova u shpall modelja më e mirë e vitit, Jennifer Lopez u shpall arstistja më me ndikim në modë, kurse stilistit Ralph Laurent iu dha çmimi për kontributin më të madh në modën amerikane.

Kjo javë sjell në kinematë amerikane tre filma të rinj. Abandon është drama me regji dhe skenar të Stephen Gaghan. Katie Holmes luan rolin kryesor. Një studente e cila ende mundohet të përballojë zhdukjen e papritur të të dashurit të parë dy vjet të shkuara, kujtimet e të cilit e ndjekin në mënyrë të frikshme. Hetimet e kryera nga kriminalisti që në film luhet nga Benjamin Bratt zbulojnë fakte rrënqethëse rreth zhdukjes së tij. Ndërsa i duhet të përballojë frikën e braktisjes, Katie duhet të zgjedhë tani midis pasioneve të kaluara dhe shanseve të reja.

Samuel Jackson në filmin e fundit Formula 51 luan rolin e një kimisti të shquar i cili shkon në Angli për të shitur një formulë të re që garanton të krijojë një ndjenjë 51 herë më të fuqishme sesa pasioni apo çdo gjë tjetër. Por planet e tij për të realizuar një fitim të shpejtë nga shpikja e këtij ilaçi prishen përmes situatave komike kur ai mbetet i bllokuar në Liverpool me ish të dashurën e tij.

Tani po afrohet festa e Halloweenit këtu në Shtetet e Bashkuara dhe filmi i tipit horror The Ring del në kohën e duhur. Filmi është një rikrijim i origjinalit thriller japonez realizuar në vitin 1998, që mban rekord për fitimin e realizuar. The Ring përqëndrohet në jetën e një gazetareje e cila zbulon video me imazhe të frikshme që sjellin çuditërisht vdekjen brenda shtatë ditësh të personit që e vështron. Në rolet kryesore Naomi Watts, Davigh Chase dhe Martin Hederson. Regjia është nga Gore Verbinski i njohur me filmin The Mexican dhe Mouse Hunt.