Interviste me juristin Kreshnik Spahiu dhe ekonomistin Gjergj Buxhuku mbi korrupsionin ne Shqiperi - 2002-10-16

Juristi Kreshnik Spahiu, Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve tha se arrestimet e fundit të zyrtarëve nuk mund të çrrënjosin nivelin e lartë të korrupsionit në vend. Zoti Spahiu tha se ka patur edhe ndërprerje të çështjeve penale, siç është procesi tepër i rëndësishëm ndaj një prej rasteve më të rënda të korrupsionit në korporatën energjetike.

Ekonomisti Gjergj Buxhuku, Drejtor i Institutit për Politikën Publike Efektive tha se në Shqipëri ekzistojnë dy forma të korrupsionit, ai primitiv ku ligjet janë në rregull dhe ato shkelen nga zyrtarët, si dhe korrupsioni me anën e ligjit, i cili bëhet nga politikanët për qëllime përfitimi material dhe që është e pamundur të trajtohet nga gjykatat. Për llojin e dyte te korrupsionit, tha zoti Buxhuku, mund të themi se Shqipëria renditet ndër vendet e para në botë.

Juristi Spahiu tha se qytetarët gjithnjë e më shumë po e humbasin besimin tek institucionet e drejtësisë. Ai shtoi se shpeshherë kemi të bëjmë me mungesë të transparencës në qeverisjen vendore dhe atë qendrore. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve tha ai, ka mbi 700 çështje të regjistruara të qytetarëve, që janë viktima të abuzimit në drejtësi.

Korrupsioni, tha zoti Buxhuku, ka patur efekte te renda në ekonominë shqiptare. Gjithashtu, monopolizimi i sektorëve të ndryshëm e ka dëmtuar rëndë ekonominë. Kjo ndodh ngaqë ligjet antimonopole nuk ekzistojnë fare në Shqipëri. Në Shqipëri nuk zbatohen as ligjet ekzistuese, për shkak të mungesës së vullnetit politik. Kjo rrjedh ngaqë vetë politikanët janë përfshirë në bizneset kryesore.

Zoti Spahiu tha se pas impaktit tejet pozitiv që pati marrëveshja politike midis krerëve të partive politike, nuk shihet asnjë strategji konkrete në lidhje me riorganizmin e sistemit gjyqësor. Ndryshimi i zyrtarëve nga poste ndryshme, tha ai, nuk mund të sjellë një ndryshimin rrënjësor të të gjithë strukturave të drejtësisë.