Kalendari Historik 12 tetor - 2002-10-16

Më 12 tetor 1973 presidenti Richard Nikson emroi Gerald Fordin si kandidat për nënpresident të Shteteve të Bashkuara. Zoti Ford do të zëvendësonte nënpresidentin Spiro Agnju, i cili kishte dhënë dorëheqjen, pasi kishte pranuar se kishte marrë ryshfete, për të cilat nuk kishte paguar as taksa. Zoti Ford ishte udhëheqësi i pakicës së veteranëve republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve. Presidenti Nikson përmendi vlerat që kishte pasur parasysh kur zgjodhi zotin Ford si kandidat për nënpresident: së pari nënpresidenti duhet të ketë cilësitë e duhura për t’u bërë president; së dyti ai duhet të ketë pikëpamje të ngjashme me presidentin përsa i përket politikës së jashtme dhe të brendshme. Presidenti Nikson shtoi si arsye tjetër popullaritetin që gëzonte zoti Ford në Kongres.

“Dhe së treti, në një kohë kur pushteti ekzekutiv është në dorë të një partie dhe Kongresi kontrollohet nga një parti tjetër, ka rëndësi jetike që nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të jetë një individ që mund të punojë me anëtarët e të dyja partive në Kongres. ”

Kongresi e miratoi kandidaturën e tij dhe zoti Ford u bë nënpresident i Shteteve të Bashkuara.

Betimi para flamurit të Shteteve të Bashkuara, u bë për herë të parë në publik më 12 tetor 1892. Kjo u bë gjatë një ceremonie me rastin e 400 vjetorit të mbërritjes së Kristofor Kolombit në Botën e Re. Betimi ishte shkruar nga Francis Bellamy dhe fillimisht u botua në revistën Youth’s Companion. Ai shpesh recitohet para ngjarjeve të rëndësishme patriotike.

“Betohem para flamurit të Shteteve të Bashkuara dhe Republikës që ai përfaqëson, një komb i vetëm e i pandarë, nën drejtimin e Zotit, me liri dhe drejtësi për të gjithë.”

Betimi para flamurit recitohet çdo ditë nga shumë fëmijë amerikanë në fillim të mësimeve.//ze//