Zgjerimi i radhëve të  Bashkimit Evropian - hap përpara për integrimin  Evropian - 2002-10-09

Zyrtarët e Komisionit Evropian thonë se, pas disa vjet negociatash dhe reformash të dhimbshme, Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Estonia, Letonia dhe Lituania si edhe dy ishujt mesdhetarë të Qipros dhe Maltës, janë të gatshme për të hyrë në radhët e tregut të njejtësuar të Bashkimit Evropian.

Komisioni thotë se Bullgaria dhe Rumania mund të hyjnë në radhët e Bashkimit nga fillimi i vitit 2007, nëse ato e ruajnë ritmin e tanishëm të reformave. Por Komisioni e la mënjanë Turqinë, që është kandidati më i madh dhe më problematik për anëtarësim, duke mos pranuar as të caktojë një datë kur Turqia mund të fillojë të marrë pjesë në bisedime. Komisioni thotë se Turqia ka bërë përparim, por ende vazhdon të kenë nevojë për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut.

Zgjerimi i radhëve të Bashkimit Evropian do të shënojë përfundimin e ndarjeve të epokës së Luftës së Ftohtë në Evropë, duke e bashkuar kontinentin në një njësi të vetme ekonomike.

Ministri britanik për Çështjet Evropiane, Peter Hain, thotë se ky vendim, në se miratohet nga 15 anëtarët e tanishëm të Bashkimit Evropian në një takim që do të zhvillohet në dhjetor në Danimarkë, më në fund do t’i bashkojë të gjitha vendet evropiane nën petkun e Bashkimit Evropian. Zoti Hain thote se pranimi i 10 vendeve nen shtypjen e ish-Perandorise Sovjetike eshte ngjarja me e rendesishme ne historine e Evrope, qe nga koha e themelimit te Komunitetit Evropian dhe Bashkimit te tij. Zoti Hain dhe të tjerë që e mbështesin idenë e zgjerimit të radhëve të Bashkimit Evropian, thonë se kjo do të ndihmojë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut në ish-vendet komuniste të Evropës Lindore, si dhe do t’i lejojë 75 milionë banorët e 10 vendeve të miratuara për anëtarësimin të gëzojnë të mirat e qëndrueshmërisë dhe begatisë të këtij Bashkimi.

Por raporti në lidhje me zgjerimin e radhëve të Bashkimit Evropian ve në dukje se shumica e 10 vendeve duhet të bëjnë më tepër për pakësimin e korrupsionit në vendet e tyre, para se të hyjnë në radhët e këtij bashkimi. Në të thuhet gjithashtu se të gjitha këto vende duhet të krijojnë sisteme më efikase ligjore dhe administrative, para afatit të vitit 2004.

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Guenter Verheugen thotë se vazhdojnë të ekzistojnë një sërë çështjesh problematike për t’u diskutuar në të ardhmen,por theksoi ai, hapi i sotem eshte teper i rendesishem.

Planet për zgjerimin e radhëve të Bashkimit Evropian ndeshen me pengesa të tjera, midis të cilëve një referendum që do të zhvillohet këtë javë në Irlandë në lidhje me Marrëveshjen e Nisës, e cila përgatit insitucionet e Bashkimit Evropian për zgjerimin e radhëve. Votuesit irlandezë e kanë hedhur poshtë një herë marrëveshjen dhe në se kjo ndodh përsëri, i gjithë procesi i pranimit të anëtarëve të rinj mund të çrregullohet.

Presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi, pranon se është i shqetësuar në lidhje me referendumin në Irlandë, megjithate, thote ai, ka besim se populli irlandez do ta kuptoje rendesine e ketij vendimi.

Presidenti i Parlamentit Evropian Pat Cox, që është irlandez, u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij ta heqin atë që ai e përshkruajti si ”një nga gurët e fundit të Murit të Berlinit”, në mënyrë që vendet e Evropës Lindore, më në fund t’i bashkohen familjes evropiane.// lk //