Pentagon: gati planet për sulm kundër Irakut - 2002-09-21

Pentagoni ka përfunduar dhe i ka paraqitur presidentit Bush një sërë alternativash ushtarake për të sulmuar Irakun dhe për të rrëzuar presidentin Sadam Husein.

Zyrtarët amerikanë, që folën me kusht të mbeten anonimë, thanë të shtunën se komandati i forcave amerikane në Gjirin Persik, gjenerali Tommy Franks, ia ka dorëzuar materialin shumë sekret presidentit Bush në fillim të muajit.

Gazeta New York Times njofton se zyrtarët thonë se planet përfshijnë numrin e trupave tokësore, aeroplanëve bombardues dhe aeroplanmbajtëseve që do të duhen për një sulm të mundshëm.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, ka theksuar vazhdimisht se presidenti Bush ende nuk ka marrë ndonjë vendim për të përdorur apo jo forcë ushtarake kundër Irakut.

Ndërkohë Radio Bagdati bëri të ditur se, nëse një rezolutë e re e OKB-së do të konsiderohet si e pafavorshme nga qeveria e presidentit Sadam Husein, Bagdati nuk do ta pranojë atë.

Njoftimi i shkurtër i Radios theksonte se ky vendim u mor pas një takimi të kryesuar nga presidenti Sadam Husein.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania po përpiqen këto ditë të bindin Këshillin e Sigurimit të miratojë me shpejtësi një rezolutë të ashpër që do të kërkonte eliminimin e të gjithë armëve të shkatërrimit në masë të Irakut.

Por rezolutës mund t’i vënë veton 3 anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia, Kina, apo Franca. Rezoluta po ashtu duhet të miratohet edhe nga të paktën 4 nga 10 anëtarët e tjerë pa të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. //az