17 shtatori i vitit 1862 mbahet mend si dita më e përgjakshme e Luftës Civile Amerikane. Gjatë betejës në Antietam, të shtetit Maryland, mbi 23 mijë ushtarë u vranë, u plagosën, ose humbën pa gjurmë. Beteja u shkaktoi humbje të rënda si ushtrive të Unionit edhe atyre të Konfederatës. Gjenerali George McClellan, i forcave të Unionit, kundërsulmoi trupat e Konfederatës, të udhëhequra nga gjenerali Robert Lee, duke i dhënë fund kështu përparimit të jugorëve në territorin e Veriut. Pas betejës së Antitamit, ushtria e gjeneralit Lee priste një sulm tjetër nga ushtria e Unionit. Por gjenerali McClellan nuk ndërmori ndonjë sulm tjetër, kështu që ushtria e Konfederatës u tërhoq përsëri drejt jugut, në shtetin Virginia. Presidenti Abraham Lincoln u zemërua aq shumë që forcat e gjeneralit Lee nuk u shpartalluan një herë e mirë, saqë e pushoi gjeneralin McClellan, për arsye se u tregua tepër i matur.
Më 17 shtator 1796 presidenti George Washington u takua me kabinetin e tij, për të mbajtur fjalimin e lamtumirës. Në deklaratën e tij me shkrim, presidenti Uashington kishte përfshirë disa pika të rëndësishme. Ai i këshillonte anëtarët e kabinetit t’i shmangeshin sektorializmit, si një rrezik për bashkimin e vendit. Ai i këshillonte amerikanët t’u shmangeshin partive politike, të cilat ai i përshkruante si egoiste dhe armike të qeverive. Ai u kërkonte amerikanëve t’i kushtonin vëmendje arsimit dhe të ruanin moralin dhe fenë, si shtylla të fuqishme të lumturisë njerëzore. Këshilla e tij për politikën e jashtme, u formulua në atë që u quajt Rregulla e Madhe: "Rregulla e madhe që duhet të ndjekim në marrëdhëniet tona me vendet e tjera, është që duke i zgjeruar me këto vende marrëdhëniet tregtare, të kemi sa më pak lidhje politike. Detyrimet që kemi marrë mbi vete, le t’i përmbushim me mirëbesim. Dhe le të ndalemi këtu.” Rregulla e Madhe e George Uashingtonit u bë një nga gurëthemelët e politikës së jashtme amerikane për shumë dekada me radhë.