Tre personat e ndaluar dje në Florida pas një informate për sulm të mundshëm terrorist, thonë se nuk kanë folur ndonjëherë, me shaka apo jo, për përgatitjen e ndonjë sulmi.
Tre të ndaluarit, myslimano-amerikanë, u shprehën për CNN-in se gruaja që ka thënë se i kishte dëgjuar duke bërë komente alarmuese, siç u shpreh njëri prej tyre, gënjen kryekëput. Njëri prej tyre, Ayman Gheith, tha në një intervistë për CNN-in se ndaj tij dhe shokëve të tij është bërë padrejtësi.
Gruaja, Eunice Stone, i tha policisë se i kishte dëgjuar personat në fjalë në një restorant tek shpreheshin se amerikanët do të mbajnë zi më 13 shtator siç mbajtën më 11. Ajo njoftoi gjithashtu targat e automjeteve të të ndaluarve. Veturat u ndaluan, sapo kaluan sportelin për taksën e rrugës. Qenë të stërvitur për zbulimin e bombave i alarmuan më pas autoritetet për prani materialesh të dyshimta. Një autostradë kryesore në Florida u mbajt e mbyllur gjatë kohës që kontrolloheshin makinat. Asgjë e rrezikshme nuk u gjet në vetura dhe personat e ndaluar më pas u liruan.
Ata thonë se janë studentë mjekësie dhe po shkonin për të marrë pjesë në një kurs kualifikimi në Florida.
Zoti Geith tha se nuk u vinte faj autoriteteve, por u tërhoqi vëmendjen bashkatdhetarëve të tij amerikanë që të mësonin më tepër për njëri-tjetrin dhe të mos hidheshin në përfundime të nxituara. //az