Më 13 shtator të vitit 1918, kapiteni amerikan, Eddie Rickenbacker fitoi famë për sulmin e tij kundër një skuadriljeje prej 7 aeroplanësh gjermanë. Gjatë betejës së shkurtër ajrore, ai rrëzoi dy aeroplanë gjermanë dhe i detyroi 5 të tjerët të tërhiqeshin. Për këtë betejë ajore, ai u nderua me dekoratën më të lartë ushtarake për trimëri, Medalja e Nderit e Kongresit. Gjatë luftës së Parë Botërore, asi amerikan i ajrit rrëzoi 22 aeroplanë armiq dhe katër balona vëzhgimi. Ai ishte piloti më i dekoruar i njësive ajrore të ushtrisë amerikane. Para luftës, Eddie Rickenbaker ishte automobilist i njohur. Në fillim të luftës, lutja e tij për të ndjekur kursin e pilotëve, nuk u pranua për shkak se ishte tepër i ri. Megjithatë ai hyri në ushtri dhe arriti të bëhej njëri prej shoferëve të gjeneralit John Pershing. Më pas, ai arriti të transferohej në shkollën e pilotëve.
Më 13 shtator 1971, afro 1 mijë e 500 policë dhe roje burgu sulmuan burgun shtetëror të Atikës në shtetin New York për të shtypur një nga rebelimet më të mëdha të burgjeve në historinë amerikane. 9 pengje dhe më shumë se 30 të burgosur u vranë nga plumbat e policisë gjatë sulmit. Rebelimi kishte shpërthyer më 9 shtator, kur një grup të burgosurish nuk pranoi të ndahej në grupe më të vegjël për të kryer punët e zakonshme të mëngjesit. Revolta u përhap, ndërkohë që të burgosurit filluan të thyenin dritaret dhe të digjnin orenditë e burgut. Brenda disa orësh, 1 mijë e 500 të burgosur iu bashkuan revoltës dhe morën peng dhjetra punonjës të burgut. Vendimi për dërgimin e policisë u mor katër ditë pas dështimit të bisedimeve të vështira për lirimin e pengjeve. Të burgosurit u kishin paraqitur zyrtarëve një listë kërkesash, përfshirë përkujdesje më të mirë mjekësore, heqjen e censurës mbi materialet për lexim, lirinë fetare dhe një program për ”rehabilitim real” për t’i përgatitur të burgosurit për jetën jashtë mureve të burgut. Zyrtarët plotësuan disa prej kërkesave. Mirëpo, zyrtarët kundërshtuan kërkesat e të burgosurve që ata të mos gjykoheshin për vdekjen e rojeve të burgut dhe për pjesëmarrjen në rebelim.