Koalicioni i udhëhequr SHBA ndodhet në Afganistan si çlirimtar - 2002-08-31

Koalicioni i udhëhequr Shtetet e Bashkuara ndodhet në Afganistan jo si pushtues, por si çlirimtar. ”Synimi ynë, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, është krijimi i kushteve që do të parandalojnë që ky vend të kthehet përsëri në një kamp për stërvitjen e terroristëve.”

”Terroristët janë si parazitët”, tha zoti Rumsfeld. ”Ata shikojnë për vende të dobëta dhe me probleme që t’u japin atyre mundësitë për të kryer sulme kundër burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm”. “Për të siguruar që grupet terroriste nuk do të kthehen më në Afganistan, tha shefi i Pentagonit, ne duhet ta ndihmojmë popullin afgan të ndërtojë infrastrukturën që do t’i krijojë atij mundësitë dhe aftësitë për vetëqeverisje të vërtetë, duke u mbështetur në forcat e veta”.

Populli afgan ka nevojë për shkolla për të arsimuar fëmijët, në mënyrë që ata të rriten për t’u bërë qytetarë të mirë. Atje nevojiten rrugë dhe ura për të lidhur rajonet e ndryshme të vendit dhe për ta bërë Afganistanin vend tërheqës për investime të huaja. Vendi ka nevojë për sistemet e vaditjes, në mënyrë që bujqit të sigurojnë jetesën e tyre dhe të prodhojnë ushqime për gjithë popullin afgan. Afganët kanë nevojë për ujë të pijshëm dhe institucione të përshtashme mjekësore për të pakësuar rrezikun e përhapjes së sëmundjeve.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë dhurueset më të mëdha në botë përsa i përket ndihmës humanitare për Afganistanin. Që nga tetori i vitit 2001, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 500 milionë dollarë në formën e nidhmës humanitare dhe të asaj për rindërtim. Edhe një miliard e 500 milionë dollarë të tjerë janë autorizuar t’i jepen Afganistanit gjatë 4 vjetëve të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara kanë rindërtuar spitale dhe klinika në Kabul, Mazar, Herat dhe Kunduz. Ato kanë rindërtuar 38 shkolla, kanë përfunduar rindërtimin e urës së Bagramit dhe të rrugës që lidh Bagramin me Kabulin.

Edhe vende të tjera partnere në koalicion po japin ndihmesë të rëndësishme. Ekipe çminimi nga Norvegjia, Britania, Polonia, Jordania dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar për pastrimin e fushave nga minat. Jordania ka ndërtuar një spital në Mazer-e-Sharif, në të cilin deri tani janë mjekuar mbi 100 mijë pacientë. Edhe Spanja e Koreja kanë ndërtuar atje spitale, ndërsa Japonia është zotuar se do të japë 500 milionë dollarë ndihma për rindërtimin e Afganistanit.

Atje ka mbetur shumë për t’u bërë. ”Megjithatë, kushtet e jetesës në Afganistan po bëhen gjithnjë e më të përshtatshme, fakt që mbështetet nga vala e refugjatëve që po kthehen në shtëpitë e tyre”, vuri në dukje Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Secili prej këtyre refugjatëve, theksoi ai, ka arritur në përfundimin se sot kushtet në Afganistan janë më të mira se më parë, madje edhe më të mira se ato të para luftës.”

“Në Afganistan, tha presidenti Xhorxh W. Bush, u provuan fuqia dhe gjallëria e koalicionit tonë.” /az