Arrestimet në Kosovë jo të motivuara politikisht - 2002-08-16

Një nga prokurorët kryesorë në Kosovë i hedh poshtë kritikat se arrestimet e fundit kanë qënë politikisht të motivuara. Në një intervistë për Ditarin, Michael Hartmann, thotë se arrestimet dhe akuzat që ngre zyra e prokurorit jane të bazuara vetëm në prova dhe fakte. Banorët thotë zoti Hartmann duhet të kenë besim tek sistemi i drejtësisë.

VOA: Zoti Hartmann në Kosovë janë bërë kritika këto ditë se arrestimet e fundit kanë qënë politikisht të motivuara, se janë një formë për të goditur Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Cili është reagimi juaj?

M.H.: Në radhë të parë përse mendojnë ata se është politikisht i motivuar. A i njohin ata faktet? A mos mendojne se janë politikisht të motivuar se ish-anëtarë të UÇK-së ose anëtarë të TMK-së janë arrestuar? Kjo në vetvete nuk i bën këto politikisht të motivuara. Kjo thjesht do të thotë se këta janë njerëzit për të cilët ka fakte se kanë kryer krime. Me lejoni të shpjegoj se si funksionon sistemi. Ky nuk është më sistemi penal që funksiononte në Kosovë në vitet ’90. Sistemi i tanishëm parashikon një mbrojtje të fortë të të drejtave të njeriut. Polici nuk shkon thjesht tek prokurori për të kërkuar arrestime sipas qejfit. Ky është një proces më i gjatë. Shumica e rasteve me të cilat jam marrë dhe nuk dua të flas këtu konkretisht për rastet e fundit, por jam në dijeni në përgjithësi me shumicën e rasteve. Atyre u ka paraprirë një proces i gjatë hetimor, që ka zgjatur prej muajsh ose më shumë. Hetimet kryhen nga policia, prokurori në bazë të ligjit duhet të mbikqyrë dhe të udhëzojë policët. Ata vinë tek ne me faktet dhe ne u themi në se ato janë të mjaftueshme apo jo, janë apo jo të pranueshme nga gjykata. Dhe kur ata janë të gatshëm me një rast dhe na e sjellin për shqyrtim, atëhere në bazë të ligjit ne vendosim në se ka apo jo baza për t’u çuar në gjykatë. Në këtë moment bëhet arrestimi, ne shkojmë para gjykatësit-hetues, i cili pasi dëgjon argumentat e prokurorit, dëgjon edhe deklaratën e të pandehurit, në se ai bën një të tillë. I pandehuri po ashtu ka të drejtë të paraqitet me avokat mbrojtës. Dhe pastaj merret vendimi. Po zgjatem këtu se kjo është e rëndësishme dhe njerëzit shpesh nuk e kuptojnë. Në se avokati mbrojtës, nuk është dakort me vendimin e gjykatësit hetues, ai mund ta apelojë vendimin para një trupi gjyqësor prej 3 gjykatësish të cilët po ashtu njihen me provat dhe faktet dhe marrin vendimin. Në shumë raste mund të bëhet apelim edhe tek 3 anëtarë të tjerë të gjykatës së lartë. Tani më thoni ju, a ka këtu motive politike, në se 7 gjykatës, prokurori dhe policia të gjithë mendojnë se duhet bërë një arrestim?

VOA: Autoritetet më parë kanë bërë arrestime nga ish luftëtarët e UÇK-së, për t’i liruar ata më pas për mungesë provash. A ka ndikuar kjo në dëmtimin e kredibilitetit të zyrës tuaj?

M.H.: Absolutisht jo. Kjo tregon se sistemi funksionon. Në se ai nuk do të funksiononte, atëhere ata që duheshin liruar do mbaheshin të arrestuar. Kjo tregon se në se gjykatësit arrijnë në përfundimin se provat nuk janë të mjaftueshme atëhere personi duhet liruar. Kështu funksionon sistemi. Policia dhe prokurori nuk mund të jenë asnjëhere 100 përqind të pagabueshëm. Por kjo nuk do të thotë që e ka fajin sistemi. Jam i ndërgjegjshëm për rastet që nënkuptoni. Si to ka edhe të tjera. Nga ana tjetër ka plot shqiptarë dhe serbë të Kosovës që janë arrestuar dhe janë mbajtur nën arrest.

VOA: A ka besim popullsia tek sistemi i drejtësisë në Kosovë?

M.H.: Për këtë duhen pyetur njerëzit. Unë shpresoj që ata të kenë besim. Nuk janë vetëm njerëz si unë, por edhe zyrtarë nga Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe gjithë organizatat jo-qeveritare që ndjekin punën tonë. Ka raporte për punën që bëj unë. Raporte publike. Nga ana tjetër sistemi i sotëm është shumë i ndryshëm nga ai i veteve ’90. Ligjet kanë ndryshuar. Në vitet ’90 i pandehuri nuk kishte të drejtë për mbrojtje juridike dhe aq më pak mbrojtje falas. Nuk kishin të drejta për paralajmërimet e policisë. E gjithë kjo ka ndryshuar. Dhe standarti i vendosur sot, i caktuar nga Këshilli i Evropës, është mandje edhe më i lartë se në disa vende të tjera të Evropës. Pra sot egziston një sistem i ndryshëm dhe prandaj njerëzit duhet të kenë besim tek ai.

VOA: Ju keni shkuar në Kosovë pas një përvoje si prokuror këtu në Shtetet e Bashkuara ku sistemi i drejtësisë është ndër më objektivët dhe më të pavarurit. Sa i pavarur është sistemi në Kosovë, për shembull, ju në punën tuaj si prokuror, kur do bëni ndonjë arrestim të ndonjë figure të njohur, keni nevojë të konsultoheni me drejtuesit e administratës civile?

M.H.: Jo nuk kam nevojë të konsultohem me ta. Në se kam një rast për të cilin jam i bindur se mund ta kaloj në gjyq, takohem me policinë dhe në se u jap atyre dokumentin e akuzës dhe ata janë gati për arrestimin, për këtë nuk kam nevojë për miratim nga dikush tjetër. Ky është një veprim i pavarur i prokurorit. Për zinxhirin e komandës në polici duhet folur me ta. Ka patur kritika për vonesa në arrestime, por mos harrojmë se edhe policia ka problemet e veta. Në se policia do bëjë një arrestim ajo ka nevojë për mjetet e veta, për njerëz, për burime, për planifikim. Por deri më sot mua nuk më është dashur të konsultohem me njeri. Këtë të drejtë ma jep ligji.