25 vjetori i vdekjes së Elvis Presleyt - 2002-08-14

Zor ta besosh që ka kaluar çerek shekulli që nga vdekja e Mbretit të Rock and Rollit, Elvis Presley, në moshën 42 vjeçare. Kariera e Elvisit ka zgjatur më shumë pas vdekjes së tij se sa kur ai ishte gjallë. Elvisi vazhdon të tërheqë një numër të madh njerzish. 600 mijë veta vizitojnë çdo vit shtëpinë e tij në Graceland. Disa prej tyre janë dashmirës të tij besnikë, të tjerë janë thjeshtë kuriozë. Ata vijnë të shikojnë mobiljet, gjërat që i përkisninin Elvisit, çdo gjë që ka emrin e tij. Graceland është shtëpia ku Elvisi jetoi dhe vdiq. Graceland është themeli i turizmit në Memphis.

Por ekziston edhe një shtëpi tjetër, në një qytezë tjetër: Tupelo i shtetit Mississippi. Elvis lindi në këtë shtëpi në vitin 1935 dhe ishte fëmija i vetëm i Vernon dhe Gradys Preslit. Familja Presley kishte vazhdimisht probleme financiare dhe u transferua në Memphis kur Elvis ishte 13 vjeç. Megjithatë, Elvis shkonte shpesh për vizitë në Tupelo. Ai i dha qytezës fonde për ta riblerë shtëpinë dhe për të ndërtuar një park. Restaurimet vazhdojnë me fonde private dhe publike, si për shembull për këtë statujë.

Frank Smith ishte prift në kishën ku shkonte Elvis. Ai i mësoi Elvisit një prej këngëve të para që Elvisi do të këndonte gjatë karierës së tij: Elvisi e bleu kitarën e tij të parë në këtë dyqan të Tupelos. George Booth thotë se babai i tij ishte pronar i dyqanit në atë kohë. Ky dyqan nuk ka ndryshuar shumë, megjithëse në qytet janë hapur dyqane më të rinj dhe më të mëdhenj se ky:

“Ne po qëndrojmë në fakt para banakut, ku Elvis dhe nëna e tij Gladys erdhën për të blerë një dhuratë për Elvisin kur ai ishte 10 vjeç. Ata blenë një kitarë, megjithëse Elvisi erdhi në dyqan për të blerë një biçikletë ose një pushkë.”

Në Tupelo nuk e ke të vështirë të gjesh dikë, që i pëlqen të këndojë e ti bjerë kitarës. Wayne Hereford këndon me një grup popullor i quajtur quarteti Chapel Lane.

Ai thotë se banorët e qytezës janë krenarë dhe të habitur me suksesin e Elvisit: “Kur isha fëmijë nuk mund ta besoja se Elvisi kishte lindur në Tupelo. Nuk më besohej një gjë e tillë, nuk besoja që një yll si Elvis Presley mund të vinte nga Tupelo. Kështu mendoja kur isha fëmijë.” Muzika spirituale e zezakëve ndikoi shumë tek Elvisi.

Në restorantin Joni’s Drive-in, ku Elvisit i pëlqente të shkonte pas shkolle, mund të gjesh edhe këto ditë shokun e fëmijërisë të Elvisit, James Ausborn. Atij i kujtohen kishat e zezakëve. “Ishte një kishë ku ne shkonim, ku mund të dëgjoje muzikë të mirë. Ne shkonim atje dhe dëgjonim muzikë nga një e çarë e dritares së thyer të dielave në mëngjes. Në se nuk shkonim në kishë, ne dëgjonim ata duke kënduar.” Jack Curtis është manaxher i një kompanie sigurimesh. Ai është tepër i ri që ta ketë njohur Elvisin, por ai di ç’të bëjë me favoritet e tij. Jack imiton Elvisin.

Jack është njëri prej dy imituesve të Elvisit në Tupelo. Ai lëviz siç lëvizte Elvisi kur këndonte.

Elvisi dha dy koncerte të sukseshëm në qytetin e tij të lindjes. Por qyteza Tupelo ka ndryshuar shumë dhe zhvillimet urbane nuk kanë shumë gjurmë të famës së Elvisit. Suzanne Boone punon me një kompani, që po planifikon një qendër të re dyqanesh dhe argëtimi për të përmbushur dëshirën e dashamirësve të Elvisit, të cilët dëshirojnë të vizitojnë qendra të ndryshme, që lidhen me Mbretin e Rock and Rollit.

“Kur njerzit vijnë për vizitë në Tupelo, ata e dinë se Elvisi dha koncerte këtu në vitin 1956 dhe 57. Ata duan të dinë se ku qëndroi ai, ku këndoi. Këtu në këtë zonë, që tani është parkim makinash, ndodheshin platformat ku ai interpretoi.” Tupelo, vendlindja e Elvisit, vizitohet çdo vit nga rreth 60 mijë njerëz. Kanë kaluar 54 vjet që kur Elvisi u largua nga kjo qytezë, por ato gjëra që e formuan atë si njeri vazhdojnë të jetojnë në Tupelo.