UNMIK: Akuzat të pa motivuara politikisht - 2002-08-13

Zyrtarët e UNMIK-ut në Kosovë thanë sot se ngritja e një akuze kundër kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe gjashtë personave të tjerë nuk ka kurfarë prapavijë politike.

Këto komente pasuan reagimet që ka nxitur kjo akuzë pas publikimit të saj. Një prokuror ndërkombëtar ka akuzuar zotin Haradinaj për sic thuhet “rrezikim të sigurisë së të tjerëve”, ndërsa akuza ndaj tij është përfshirë në rastin e gjashtë personave të tjerë të arrestuar në qershor të këtij viti nën dyshimin se janë përgjegjës për veprime kriminale kundër bashkëkombësve të tyre.

Zoti Haradinaj pak pas publikimit të akuzës i tha Zërit të Amerikës se “kjo akuzë është e drejtuar kundër AAK-së dhe atij personalisht dhe se ajo është e pabazë”.

Zëdhënësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara Susan Manuel tha ndërkaq se “nuk ka asnjë aspekt politik në akuzën ndaj Ramush Haradinajt apo në atë ndaj gjashtë perosnave të tjerë që është publikuar në të njëtën kohë”. Sipas saj “këto janë veprime të pavarura të prokurorit ndërkombëtarë”. Në këtë kuadër ajo tha se edhe arrestimet e këtij viti përfshirë edhe atë të komandantit të ish UCK-së Rrustrem Mustafa i njohur si komandant Remi, nuk kanë parapavijë politike.

Por kështu nuk mendojnë disa mijëra qytetarë të komunës së Podujevës që kanë protestuar sot në mesditë kundër arrestimit të zotit Mustafa duke e cilësuar atë si “goditje ndaj vlerave të luftës për lirinë e Kosovës”.

Zyrtarët e UNMIK-ut thanë ndërkaq se janë shumë të dëshpëruar me dështimin e policisë për të arrestuar kryetarin e Këshillit Kombëtar serb në Mitrovicën Veriore, Millan Ivanovic, i cili akuzohet për tentativa vrasjeje. Ata thanë se operacionet për arrestimin e personave të kërkuar planifikohen në pajtim me situatën në zonat e caktuara. Në këtë kuadër zonja Manuel tha se “gjatë përpjekjeve të policisë së UNMIK-ut për të arrestuar disa njerëz në prill të këtij viti në veriun e Mitrovicës, 22 policë u plagosën nga bombat dhe të shtënat me pushkë snajperike dhe kjo është shumë serizoze”, prandaj sipas saj “po merren masat për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla”...

Ndërkohë forcat paqëruajtëse thanë se arrestimi i djeshëm në dy operacione të vecanta i gjashtë personave nën dyshimin për veprimtari ekstremiste është pjesë e veprimeve të KFOR-it për parandalimin e veprimeve që mund të dëmtojnë paqen dhe sigurinë. Zëdhënësi i këtyre forcave Drew Anderson as sot nuk shpalosi hollësi rreth të arestuarëve të cilët sipas tij janë shqiptarë etnik që nuk i takojnë ndonjë grupi paraushtarak në Kosovë. “Ata nuk janë të lidhur në ansjë mënyrë me ndonjë organizatë terroriste botërore” nënvizoi zëdhënësi Anderson, duke shtuar se që të gjashtët po merren në pyetje dhe se të gjithë ata janë arrestuar për shkak se paraqesin kërcënim për sigurinë në rajon. Në një operacion të ngjashëm javën e kaluar KFOR-i arrestoi 19 veta në Kosovën Lindore, 17 prej të cilëve janë liruar më pastaj, por KFOR-i nuk ka bërë të ditur identitetin e ansjërit prej tyre.