Kalendari Historik 19 korrik - 2002-07-19

Më 19 korrik të vitit 1984, Geraldine Ferraro u bë gruaja e parë dhe deri më sot e vetmja grua e zgjedhur si kandidate për nënpresidente e një partie kryesore të Shteteve të Bashkuara. Ajo u zgjodh nga kandidati për president i Partisë Demokrate, Walter Mondale dhe u miratua unanimisht nga Kuvendi i Partisë Demokrate që u mbajt në San Fransiscko të Kalifornisë. Zonja Ferraro, anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve nga New Yorku, e filloi fjalimin për miratimin e saj me një citim të veprimtarit të të drejtave civile, të ndjerit Martin Luter King: "Ka disa momente në jetë, për të cilat nuk mund të gjenden fjalë për t’i spjeguar. Kuptimi i tyre mund të artikulohet vetëm nga gjuha e heshtur e zemrës. Sonte unë po përjetoj pikërisht një moment të tillë". Më 1984, kandidatët demokratë Mondale-Ferraro u mundën nga kandidatët republikanë Ronald Reagan dhe George Bush. Pas largimit nga Kongresi, Geraldine Ferraro vazhdoi veprimtarinë e saj në jetën publike, si komentatore në televizion dhe në vitin 1998 ajo mori pjesë, por pa sukses në garën për senatore e New Yorkut. Në qershor të këtij viti, zonja Ferraro njoftoi publikisht se po kurohet për sëmundjen e kancerit.

Më 19 korrik të vitit 1848, thuajse të gjitha udhëheqëset e lëvizjes së të drejtave të grave në Shtetet e Bashkuara morën pjesë në takimin e zhvilluar në Seneka Fall, të New Yorkut. Në takim u miratua Deklarata e Sentimenteve, e cila i shtoi dy fjalët “dhe gratë” Deklaratës së Pavarësisë të vitit 1776: “Ne pranojmë këto të vërteta, që tashmë dihen, se burrat dhe gratë janë krijuar të barabartë.” Deklarata e Sentimenteve përmbante një listë me mënyrat se si burrat kishin mbajtur të shtypura gratë amerikane. Në të kërkohej e drejta e votës dhe heqja e diskriminimit të grave në fushën e arsimit dhe në vendin e punës. Megjithatë, gratë nuk e fituan të drejtën e votës deri në vitin 1920 dhe megjithëse sot ato i kanë të gjitha mundësitë për t’u arsimuar, përsëri vazhdojnë të kërkojnë të trajohen njëlloj si burrat në vendin e punës.