Forcat izraelite shembin selinë e Autoritetit Palestinez - 2002-06-28

Sipas dëshmitarëve palestinezë ushtria izraelite ka shkatërruar selinë e rrethuar të Autoritetit Palestinez në Hebronë, pasi 15 ekstremistë të kërkura nga Izraeli nuk pranuan të dilnin nga ndërtesa.

Ushtria izraelite thotë se xhenierët kryen dje një shpërthim të kontrolluar, siç u shprehën ata. Mirëpo, zyrtarët nuk kanë bërë ndonjë koment rreth njoftimeve se ndërtesa është shëmbur. Ata nuk kanë thënë as nëse ka pasur ndonjë viktimë.

Ekstremistët e kërkuar nga Izraeli janë strehuar në seli që nga dita e martë.

Vetëm pak orë para se të fillonte operacioni, forcat izraelite lejuan anëtarin e kabinetit të Autoritetit Palestinez, Talal Sidër, të hynte në ndërtesë në një përpjekje të pasuksesshme për të bindur 15 ekstremistë që të dorëzoheshin.

Talal Sidri nuk veproi në emër të Autoritetit Palestinez kur ushtarët izraelitë e lejuan atë të kalonte nëpër pjesë të ndërtesës. Ai tha se nuk i kishte parë ekstremistët, por shtoi ata mund të ishin fshehur në një pjesë të ndërtesës ku ai nuk mundi të hynte.

Të enjtën, ushtarët izraelitë, të cilët u kanë bërë ekstremistëve thirrje në mënyrë të përsëritur që të dorëzohen, përdorën buldozerë për të hapur një vrimë në murin e kompleksit të rrethuar.