Intervistë me ambasadorin William Ryerson - 2002-06-25

E.B.- Zoti Ambasador, parlamenti shqiptar ka zgjedhur zotin Alfred Mojsiu, si presidentin e ri të vendit. Ju e njihni shumë mirë zotin Mojsiu. A mendoni se ai i ka cilësitë që i nevojiten një presidenti të Shqipërisë?

W.R. - Po, Po, ka plot. Zoti Mojsiu është një patriot i vërtetë shqiptar, si edhe një njeri i nderuar dhe mjaft i informuar. Mendoj se ky është vërtet një lajm shumë i mirë. Është lajm i mirë në shumë drejtime, për atë çka përfaqëson politikisht, si edhe për faktin se tani shqiptarët do të kenë një president, për të cilin mendoj se të gjithë mund të kenë respekt. Siç mund ta dini, kur kam qënë ambasador, kam pasur të bëj deri diku me Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë të veçantë më Ministrin Zhulali, por në të njëjtën kohë edhe me zotin Mojsiu, i cili atëhere shërbente në atë ministri si një patriot i vërtetë dhe kërkonte zgjidhje të arsyeshme për problemet e kohës, pa paragjykime ideologjike. Ai punonte për Shqipërinë. Dhe unë e kisha mirëpritur këtë. Sepse ky nuk ishte për mua një rast i përgjithshëm, nuk ishte një rast i tillë.

E.B. - Zoti ambasador, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, dy forcat kryesore të vendit, duket se kanë filluar një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre, duke rënë dakord për një kandidat të përbashkët për president. Si i shikoni ju këtë proces, këto marrëdhënie të reja, midis pozitës dhe opozitës?

W.R. - Më së fundi ndodhi. Mendoj se kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen e vendit. Pesë-gjashtë vjetët e fundit, unë kam dëgjuar lajme të këqia nga Shqipëria. Lajme të këqia nga të gjitha frontet. Lajme të këqia nga sektori i krimeve, lajme të këqia, bile nga më të këqiat, nga fusha e politikës. Nuk ka pasur asgjë të mirë. Por kjo ka ndryshuar. Partitë morren në shqyrtim një kandidat tjeter, zotin Artur Kuko, të cilin po ashtu unë e kam njohur dhe e respektoj si një patriot të vërtetë shqiptar. Ai kishte avanatazhin te ishte më i ri, por kjo s’do të thotë asgjë. Zoti Moisiu do të ishte me të vërtetë një president shumë i mirë, me të cilin të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, mund të krenohen.

E.B. - A mendoni se ky bashkëpunim i ri mund të shtrihet edhe në fusha të tjera?

W.R. - Përse jo. Mendoj se sapo partitë të mësohen me idenë se ato mund të punojnë së bashku, ndoshta nuk do t’u duket aq e çuditshme të përpiqen të bëjnë së bashku disa gjëra për të mirën e Shqipërisë. Mendoj se kjo është pritur tashmë mjaft mirë nga komuniteti shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara.

E.B. - Zoti ambasador, tranzicioni në Shqipëri ka qenë mjaft i vështirë. Kur ishit ambasador në Tiranë, ju keni qenë shumë optimist. I keni parashikuar këto vështirësi në atë kohë?

W.R. - Jo, zakonisht njeriu e merr me mend se do ketë veshtirësi. Ato janë pjesë e jetës. Një gjë që nuk arrita ta vija re, ose të paktën këtë përshtypje kam, është se klasa politike shqiptare hezitonte të kërkonte ndihmën e diasporës shqiptare në mënyrë kuptimplotë. Jo thjesht duke thënë: ejani, ejani dhe investoni këtu. Para disa javësh isha në Nju Jork në darkën e shtruar për Sekretaren Albright. Pashë rreth meje qindra shqiptaro-amerikanë. Ishte nje grup shumë mbresëlënës njerëzish! Ata janë biznesmenë të suksesshëm, avokatë, mjekë, profesorë të suksesshëm. Ç’pasuri e jashtëzakonshme! Mendoj se këta njerëz, siç më kanë thënë gjithë miqtë e mi, do të inkurajohen gjithashtu nga zhvillimet e fundit dhe në se dy partitë politike shqiptare do të punojnë së bashku, për të bërë vërtet diçka për t’i tërhequr sërish këta njerëz, Shqipëria vetëm mund të përfitojë.

E.B. - Kthehemi edhe një herë tek periudha kur ju keni qenë ambasador në Tiranë. Ju keni pasë shumë projekte. Ndër to mbase më i rëndësishmi ka qenë Shkolla e Fulcit. A jeni i kënaqur me përparimin që është arritur deri tani nga kjo shkollë?

W.R. - Jam i kënaqur, dhe njëkohësisht pak i befasuar që gjatë gjithë këtyre viteve kjo ka qenë gjithmonë një nga gjërat pozitive. Vetë shkolla kaloi nëpër një periudhë të vështirë tranzicioni disa vjet më parë dhe tani ne, them ne se unë shërbej në bordin e Fondacionit amerikan që ndihmon financiarisht shkollën. Nxënësit tani, ndryshe nga ç’ndodhte më parë, paguajnë për mësimet. Ne e bëmë këtë me njëfarë shqetësimi, sepse ne duam të kemi atë që këtu në Shtetet e Bashkuara i referohemi me shprehjen Pranim në Shkollë pa Testuar Burimet Financiare. Gjë që do të thotë se nuk ka rëndësi në se ju jeni i pasur apo i varfër. Po të jeni nxënës i mirë pranoheni. Dhe pastaj ne na shqetëson mbulimi financiar. Por më vjen mirë të them se tani kemi disa bursa të kufizuara. Dhe shpresojmë të tërheqim si kandidatë disa nga nipërit e atyre të cilëve u ka dhënë mësim dikur vetë Harry Fultz. Këto janë familje që kanë qenë të persekutuara nga partia e zotit Hoxha.

E.B. - Zoti Ryerson, ju jeni në pension tani. Si ju duket jeta në pension?

W.R. - Do t’jua rekomandoja. Kënaqem shumë. Ne jetojmë në një pronë që kemi blerë disa vjet më parë dhe unë tani merrem nder te tjera edhe me pune bujqësie për kopshtin e gruas sime. E kaloj shumë mirë kohën e lirë që kam.

E.B. - Më në fund a keni ndonjë mesazh për miqt tuaj të shumtë në Shqipëri?

W.R. - I përshëndes të gjithë dhe i uroj sukses presidentit të ri të Shqipërisë. Zoti Moisiu, ju priftë e mbara.

E.B. - Zoti ambasador, shumë falemnderit.

W.R. - S’ka përse. Falemnderit.