Ministri sërb i financave Bozidar Djelic tha dje se zyrtarët ë bankave zvicerane dorëzuan dokumenta që ndërlikojnë të paktën 9 bashkëpunëtorë të ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç me një skemë përvetësimi të hollash gjatë viteve 90-të. Ministri i Financave Djelic tha se tani varet nga hetuesit dhe gjykatat që të çojnë deri në fund hetimet mbi këtë çështje. Zoti Djelic tha se 9 bashkëpunëtorë të zotit Millosheviç kanë depozituar në llogari të bankave zvicerane më shumë se 6 milion dollarë.
Zyrtarët zviceranë nuk pranuan të publikonin identitetin e mbajtësve të llogarive, por ministri sërb i financave tha se ish kryeministri sërb, Mirko Marjanoviç, ishte në listë. Javën e kaluar, zoti Marjanoviç dënoi njoftimet se ai kishte llogari bankare në Zvicër, duke i quajtur ato gënjeshtra.
Që prej rrëzimit nga pushteti të zotit Millosheviç në vitin 2000, autoritetet sërbe janë përpjekur të gjejnë pasuritë e ish presidentit jugosllav.