Kryeministri slloven takohet me presidentin Bush - 2002-05-17

Kryeministri slloven, Janez Drnovsek tha se gjatë bisedimeve të sotme në Shtëpinë e Bardhë ai dhe Presidenti Bush diskutuan për çështjet e Ballkanit, marrëdhëniet dypalëshe dhe synimet e vendit të tij për t’u anëtarizuar në NATO. Pas takimit, zoti Drnovsek e përshkroi vendin e tij, si një kandidat serioz të NATO-s. Aleanca do të shpallë gjatë takimit të nivelit të lartë në nëntor në Pragë, vendet që do të ftojë të kërkojnë anëtarësimin. Kryeministri slloven tha se në Shtëpinë e Bardhë u diskutua gjithashtu për luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit. Ai shtoi se vendi i tij ka një rol aktiv në këtë luftë. Zoti Drnovsek theksoi se marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë jashtë zakonisht të mira që kur vendi i tij deklaroi pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991. Udhëheqësi slloven e filloi vizitën tij në Washington të martën, me takime me ligjvënës në Kongresin amerikan. Ai është takuar gjithashtu me sekretarin amerikan të shtetit, Colin Powell.