Jimmy Carter në Kubë - 2002-05-13

Ish presidentit amerikan, Jimmy Carter, ndodhet në Kubë, hera e parë që një president apo ish president amerikan viziton këtë vend që nga revolucioni komunist i vitit 1959.

Dje, ditën e parë të vizitës një javore, zoti Carter u prit nga presidenti kuban, Fidel Castro, në aeroportin ndërkombëtar Jose Marti dhe më pas bëri njçë turne në pjesën e vjetër të Havanës.

Duke folur spanjisht, presidenti Carter tha se ishte i kënaqur që ndodhej në Kubë dhe se priste me padurim të shihte arritjet e popullit kuban në fushat e arsimit dhe kujdesit shëndetësor.

Presidenti Castro tha se personaliteti amerikan është i lirë të takohet me kë të dëshirojë dhe do të lejohet të vizitojë laboratoret bioteknike, ku sipas administratës së presidentit Bush prodhohen armë biologjike. Qeveria kubane hedh poshtë pohimet se në Kubë prodhohen armë të tilla.

Presidenti Castro e lavdroi zotin Carter, i cili u përpoq t’i përmirësonte marrëdhëniet me Kubën gjatë mandatit të tij presidencial nga vitit 1977 deri më 1981. Shtetet e Bashkuara dhe Kuba nuk kanë lidhje të plota diplomatike dhe një embargo tregtare amerikane ndaj këtij ishulli vazhdon tash 40 vjet.

Kohët e fundit, zoti Carter është shprehur kundër embargos. Mirëpo, pritet që ai të theksojë edhe çështjet e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë nesër mbrëma gjatë një fjalimi që do të transmetohet drejtpërsëdrejti për popullin kuban. Ai do të kërkojë të takohet edhe me disisdentë kubanë.