Ballafaqimi në Bethlehem vazhdon - 2002-05-04

Ndërkohë që të krishterët ortodoksë fillojnë festimet me rastin e të Dielës së Pashkëve, zyrtarë palestinezë dhe perëndimorë shprehin mendimin se ballafaqimit një mujor te Kisha e Lindjes së Krishtit në Bethelehem mund t'i jepetfund së shpejti.

Diplomatë amerikanë dhe evropianë janë bashkuar me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë në bisedimet e përtritura të nivelit të lartë për t’i dhënë fund rrethimit.

Njoftohet se një nga diplomatët evropianë hyri mbrëmë në kompleksin e kishës për të marrë një listë me emrat e rreth 200 palistinezëve të ngujuar në faltore.

Zyrtarët izraelitë e kanë kërkuar listën si një prej kushteve të tyre për t’i dhënë fund ballafaqimit. Ata thonë se disa nga palestinezët në kishë kërkohen nga Izraeli dhe u strehuan në faltore për t’i shpëtuar kapjes kur trupat izraelite vërshuan në këtë qytet të Bregut Perëndimor më 2 prill.

Të krishterët në gjithë botën janë lutur për një zgjidhje paqësore të ballafaqimit. Sipas traditës fetare, kisha është ndërtuar në vendin ku ka lindur Jesu Krishti.

Snajperë izraelitë vranë dje një palestienz brenda kompleksit të kishës. Ata thonë se ai ishte një nga terroristët e kërkuar nga grupi Fatah i zotit Arafat. Ushtarët izraelitë vranë edhe një palestinez tjetër, i cili, thonë ata, hapi zjarr kundër tyre në një postbllok ushtarak në Rripin e Gazës.