Vazhdon beteja në Afganistan(11 mars) - 2002-03-10

Njoftohet se qindra ushtarë dhe tanke afgane po grumbullohen afër vijave të frontit në Afganistanin lindor në prag të një ofensive për kapjen ose vrasjen e atyre që kanë mbetur nga forca luftuese terroriste e Al-Qaidës pranë kufirit me Pakistanin. Autokolona e tankeve dhe rreth 1 mijë trupa u dërguan sot nga udhëheqësi i përkohshëm afgan, Hamid Karzai, për të ndihmuar disa qindra trupa amerikane që po luftojnë kundër forcave armike në afërsi të qytetit Gardez.

Në Washington, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se forcat amerikane do të vazhdojnë të lëvizin brenda dhe jashtë vijave të frontit. Ai tha se Operacioni Anakonda do të vazhdojë derisa forcat armike që mendohet se numërojnë aktualisht 100-200 luftëtarë, të dorëzohen ose të vriten.

Ndërkohë, aeroplanët amerikanë vazhduan të bombradojnë sot në mëngjes baza të al-Kaidës dhe të talebanëve në Afganistanin lindor. Udhëheqësit e milicisë afgane thonë se bombardimet kanë qenë të pandërprera dhe shkatërrimtare. Sipas tyre, goditjet ajrore, të udhëhequra nga snaiperët amerikanë kanë vrarë qindra forca armike.

Dje 400 trupa tokësore amerikane u kthyen nga zona e luftimeve, ndërsa sot u tërhoqën 200 të tjera. Tërheqja bëhet ndërkohë që zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se gjatë ditëve të fundit, zjarri i forcave armike është pakësuar.

Zyrtarët amerikanë thonë se forcat e koalicionit kanë nën kontroll zona të mëdha të fushës së betejës.