Columbia së shpejti në hapësirë (27 shkurt) - 2002-02-27

Agjencia amerikane e hapësirës, Nasa, po përgatitet të lëshojë anijen Columbia për një nga misionet më të rëndësishme në orbitë, kryerjen e shërbimeve teknike në teleskopin Hubble.

Anija pritet të lëshohet nga qendra e fluturimeve në hapësirë Kennedi në Florida. Ekuipazhi prej 7 anëtarësh gjatë këtij misioni do të realizojë 5 dalje në hapësirë për të instaluar në teleskop një kamera të sofistikuar, panele të reja diellore dhe një bllok për kontrollin e energjisë.

Astronauti Michael thotë se "shkencëtarët shpresojnë që me instalimin e paisjeve të reja të rrisin fuqinë dhe shpejtësinë e teleskopit Hubble deri në 10 herë."

Teleskopi Hubble është një laborator vëzhgues në orbitë ku ka qendruar për gati 12 vjet. Ai u ka siguruar shkencëtarëve pamje nga hapësira, të papara ndonjëherë. Ai ka ndihmuar edhe në vërtetimin e ekzistencës së Vrimave të Zeza.

Astronautja Nancy Currie, thotë se gjatë misionit, sistemi elektrik i teleskopit, do të fiket për herë të parë për instalimin e një të riu. ”Ne do ta fikim plotësisht sistemin elektrik. Kjo përbën një rrezik të jo të vogël, pasi çdo të ndodhë nëse energjia nuk kthehet? Megjithatë ne ndihemi të sigurtë se kjo procedurë është shumë e efektshme.”

Astronautët gjithashtu do të përpiqen të rivënë në punë kameran me rreze infra të kuqe përmes instalimit të një sistem të ri ftohjeje. Kamera nuk ka funskionuar për 3 vjet që kur nitrogjeni i ngrirë që e mbante kamerën në temperaturën në minus 350 gradë Fahrenheit, u shkri para kohe.

Sipas planeve, teleskopi Hubble do të kthehet në Tokë në vitin 2010 e në hapësirë do të dërgohen teleskopë të tjerë edhe më të sofistikuar. Zyrtarët thonë se pas kthimit, teleskopi Hubble do të ekspozohet në muzeun e aeronautikës, në Washington.