Rruga Haraçinë - Shkup u bllokua të marten në mbrëmje nga më shumë se 200 banorë të Haraçinës për shkak të një incidenti që ka ndodhur gjatë ditës në postbllokun policor në hyrje të fshatit. Shqiptarët reagojnë për shkak se policët maqedonas ndalojnë shpesh banorët, i legjitimojnë për çdo ditë dhe ka raste kur edhe bëhen keqtrajtime. Sot policët maqedonas kanë sulmuar fizikisht dy vëllezërit Jusufi nga Haraçina në këtë postbllok pa ndonjë arësye, sipas dëshmitarëve.
Së këndejmi, qindra banorë të këtij vendbanimi të madh me shumicë shqiptare kanë ndaluar makinat në rrugën kryesore, afër postbllokut, duke penguar lëvizjen dhe qarkullimin, në shenjë revolte pas incidentit të sotëm. Banorët shqiptrarë kërkojnë që postblloku të tërhiqet, ose policia këtu të zëvendësohet me policinë e përzier etnike nga stacioni në Haraçinë.
Në këtë vend dolën përfaqësues të Natos, OSBE-së, BE, ndërsa forcave policore maqedonase u erdhi përforcim nga qyteti i Shkupit.
Protesta u zhvillua e qetë me gjithë nervozën e shprehur nga banorët shqiptarë dhe me gjithë praninë e shtuar të policisë speciale. Ministria e Punëve të Brendëshme deri tash nuk ka dhënë asnjë njoftim e koment në lidhje me protestën dhe mbi incidentin.
Deputeti i Haraçinës në Parlament, Ismet Ramadani dhe drejtues lokal të këtij vendi, biseduan me përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare dhe policinë maqedonase për të gjetur mënyrat e shmangies së incidenteve në këtë rajon. Kryetari i komunës së Haraçinës, Reshat Ferati do t'ia dorëzojë kërkesën nesër Ministrisë së brendëshme për ta tërhequr postbllokun.
Fshati Haraçinë mbahet mend për luftimet e ashpra në fund të qershorit të vitit të kaluar midis forcave qeveritare dhe ish-luftëtarëve të UCK. Të njejtën ditë kur guerilja shqiptare u largua nga fshati, turmat e demonstruesve maqedonas e konsideruan si humbje e forcave qeveritare të betejës dhe si rezultat deshën t'i vinin zjarrin Parlamentit.