Një gazetar amerikan rrëmbehet në Pakistan (31 janar) - 2002-01-31

Rrëmbyesit e një gazetari amerikan në Pakistan janë kërcënuar se do ta vrasin atë sot, nëse Shtetet e Bashkuara nuk lirojnë të ndaluarit pakistanezë në luftën kundër terrorizmit në Afganistan.

Lëvizja Kombëtare për Kthimin e Sovranitetit të Pakistanit e bëri këtë ultimatum nëpërmjet postës elektronike. Ky grup akuzon korrespondentin e gazetës Wall Street Journal, Daniel Peral, i cili u zhduk para një jave, si spiun të Izraelit. Në një mesazh të mëparshëm, grupi e akuzonte zotin Pearl si agjent të qeverisë amerikane, akuzë të cilën gazeta e tij dhe administrata e presidentit Bush e hedhin poshtë.

Në mesazh thuhet gjithashtu se të gjithë gazetarët amerikanë duhet të largohen nga Pakistani deri ditën e shtunë. Sipas këtij grupi, në Pakistan është një numër i madh spinësh që punoojnë nën maskën e gazetarit.

Dje, Departamenti amerikan i Shtetit e përtriti paralajmërimin që shtetasit amerikanë të mos udhëtojnë për në Pakistan, duke përmendur rrëmbimin e zotit Pearl, dhe njoftime se amerikanë të tjerë po vihen në shënjestër për t’u rrëmbyr.

Gruaja shtatzënë e zotit Pearl, Marianne, u paraqit në televizionin amerikan dhe u lut për lirimin e burrit të saj. Edhe e përditshmja Wall Street Journal bëri thirrje për lirimin e tij, duke thënë se zoti Pearl nuk është gjë tjetër vetëm korrespondent i saj.

Ndërkohë, policia pakistaneze njofton se në lidhje me rrëmbimin e zotit Pearl ka arrestuar një klerik mysliman që thuhet se ka lidhje me rrjetin terrorist al-Kaida.

Autoritetet thonë se Sheik Mubarak Ali Gilani u arrestua dje në afërsi të Islamabadit. Megjithë arrestimin e tij, vendndodhja e zotit Pearl ende nuk dihet dhe se kërkimi në shkallë kombëtare vazhdon.