Zyrtarët e Pentagonit thonë se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Afganistan një bombë e cila shfrytëzon shpërthimin me presion të lartë për të thithur ajrin nga shpellat dhe tunelet.
Zyrtarët thonë se kjo bombë e drejtuar me rreze lazer do të përdoret në zonën malore Tora Bora., ku forcat anti-talebane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara po kërkojnë për për luftëtarë të Al-Qaedës dhe të Talebanit që mund të kenë mbetur gjallë pas bombardimeve të mëparshme. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld tha sot në Uashington se në Afganistanin Lindor po dërgohen trupa të tjera amerikane dhe të koalicionit.
Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld nuk tha se sa trupa amerikane do të dërgohen në zonën e Tora Borës. Por ai tha se ato do të marrin pjesë në kërkimin shpellë më shpellë për luftëtarët e al-Qaida-s, përfshirë udhëheqësin e tyre, Osama bin Laden.
Dy zyrtarë të lartë amerikanë thanë sot se ata nuk e dinë nëse Osama bin Laden ka vdekur, apo është gjallë.
I pyetur nëse ishte ishte e mundur qe njeriu më i kërkuar në gjithë botën të ishte arratisur nga kjo zonë, Sekretari i Mbrojtjes Rumsfeld tha se në Afganistan, çdo gjë është e mundur:
”Ne nuk kemi ndonjë provë së cilës mund t’i referohemi që të na bëjë të besojmë se kjo ka ndodhur. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka ndodhur”, tha Rumsfeld.
Zoti Rumsfeld thotë gjithashtu se avionë luftarakë amerikanë sulmuan një karvan në jugperëndim të Tora Boras gjatë 24 orëve të fundit, duke shkaktuar viktima të shumta ndër ata që ai i quajti anëtarë të udhëheqjes së al-Qaida-s ose të Talebanëve. Sipas një agjencie afgane lajmesh, 65 vetë u vranë, por ky njoftim nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.