Aeroplanët luftarakë amerikanë kryen sot bombardime në afërsi të kryeqytetit afgan Kabul. Goditjet e sotme shënojnë fillimin e javës së katërt të bombardimeve kundër objektivave terroriste dhe talebanëve në fuqi.
Sipas njoftimeve, aeroplanët goditën pozicionet talebane në periferitë veriore të Kabulit. Thuhet gjithashtu se nga një bombë gjetën vdekjen të paktën 10 civilë.
Bombardimet e djeshme ishin ndër më intensivet që nga fillimi i tyre më 7 tetor.
Dje, njëra nga bombat që kishte si objektiv pozicionet talebane, duket se u shmang nga drejtimi dhe goditi një fshat në territorin e kontrolluar nga Aleanca Veriore e opozitës, duke vrarë të paktën 10 civilë. Fshati ndodhet pranë vijave të frontit midis trupave të opozitës dhe pozicioneve talebane. Ka disa ditë që avionët amerikanë kanë vënë në shënjestër pozicionet e frontit të forcave talebane.
Në Pakistan, mijra njerëz që u përkasin grupeve fisnore po i afrohen kufirit afgan në përpjekje për tu bashkuar me luftën e Talebanit kundër Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët pakistanezë thonë se do të përpiqen t’i kthejnë ata mbrapsht.
Zyrtarët talebanë thonë se kanë varrosur trupin e komandantit të opozitës Abdul Hak, i cili u ekzekutua të premten nga regjimi taleban, nën akuzat për spiunazh në favor të Shteteve të Bashkuara, akuzë që zyrtarët amerikanë e mohojnë.
Abdul Haq, hero i qendresës kundër pushtimit sovjetik në vitet 1980, kishte hyrë në Afganistan javën e kaluar në përpjekje për të bindur krerët fisnorë që të mbështesnin një qeveri të kryesuar nga ish mbreti Mohammad Zahir Shah.
Në një deklaratë që i dha Zërit të Amerikës nga Roma, ish monarku afgan dënoi ekzekutimin e komandantit Haq duke e cilësuar këtë një akt terrorizmi.
Edhe anëtarë të tjerë të ish qeverisë afgane e cilësuan vdekjen e komandatit Haq si një grusht të rëndë ndaj përpjekjeve për themelimin e një qeverie të moderuar në Afganistan.