Më 24 tetor 1861, një telegrafist në San Francisco, i dërgonte një mesazh telegrafik presidentit Abraham Linkoln në Uashington DC, nga një gjykatës shtetëror në Kaliforni. Disa çaste më vonë kryetari i bashkisë së San Franciscos, i dërgonte një mesazh kryetarit të bashkisë së qytetit të Nju Jorkut. Të dy shprehnin ide të ngjashme: “Urime nga Bregu i Paqësorit dhe a nuk është ky mjet i ri komunikimi i mrekullueshëm?” Mesazhet në alfabetin Mors kalonin nëpërmjet telave thuajse me shpejtësinë e dritës. Aftësia për të dërguar mesazhe të tilla nga një breg i Shteteve të Bashkuara në tjetrin, ishte rezultat i Ligjit për Telegrafin e Paqësorit, miratuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara më 16 qershor 1860. Ligji autorizonte ndërtimin e një linje telegrafike nga Missouri, terminali lindor, në San Francisco, terminali perëndimor.
Më 24 tetor 1952 kandidati për president i Shteteve të Bashkuara, Dwight Eisenhower, tha se po të zgjidhej president i vendit, ai do të shkonte në Kore. Qëllimi i tij do të ishte të shqyrtonte mundësinë për t’i dhënë fund sa më parë dhe me nder luftës në Gadishullin Korean. Komandanti në pension i forcave Aleate në Evropë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e bëri këtë premtim në një fjalim që mbajti në Detroit të Miçiganit, gjatë fushatës presidenciale. Republikani Eisenhower tha se Lufta e Koresë nuk ishte e pashmangshme, siç thoshin presidenti demokrat, Harry Truman, të cilit po i mbaronte mandati, si edhe rivali demokrat i Eisenhower-it në garën presidenciale, guvernatori i Illinoit, Adlai Stevenson. Zoti Eisenhower tha se detyra e tij e parë, po të zgjidhej, do të ishte t’i jepte fund luftës. “ Nga do t’ia fillojë punës administrata e re? Ajo do t’ia fillojë me një vendim të patundur por të thjeshtë që do të marrë presidenti i saj. Ky vendim do të lërë pas dore diversionet politike dhe do të përqendrohet në përpjekjet për t’i dhënë fund Luftës së Koresë. Kjo kërkon një udhëtim personal në Kore.”