Kalendari Historik  15 tetor - 2001-10-15

Më 15 tetor 1950, presidenti Harry Truman u takua me gjeneralin Douglas MacArthur në ishullin Wake, në Oqeanin Paqësor. Ata diskutuan lidhur me politikën e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Koresë. Presidenti e kishte kërkuar këtë takim pasi gjenerali MacArthur, komandanti i forcave të Kombeve të Bashkuara në Kore, vazhdonte të bënte deklarata lidhur me luftën e Koresë, që nuk pajtoheshin me politikën e ndjekur nga presidenti Truman. Gjenerali donte ta çonte luftën në Mançuri ose në Kinë. Kina ndihmonte komunistët koreano-veriorë. Ai donte gjithashtu t’i njihej e drejta për të përdorur bombën atomike në konfliktin korean. Politika e presidentit Truman ishte të kufizohej konflikti në Gadishullin Korean. Presidenti i tha gjithashtu gjeneralit se në luftë nuk do të përdoreshin armët atomike. Si kryekomandant i forcave të armatosura amerikane, në bazë të kushtetutës, presidenti mendonte se i duhej të rivendoste autoritetin e tij mbi gjeneralin MacArthur, një njeri krenar dhe ambicioz. Pas takimit në ishullin Wake, si presidenti Truman edhe gjenerali MacArthur, thanë se ishin marrë vesh ndërmjet tyre. Mirëpo gjenerali vazhdoi të shprehë publikisht pikëpamje që nuk pajtoheshin me politikën e presidentit Truman. 6 muaj më vonë presidenti Truman e hoqi gjeneralin MacArthur nga posti i komandantit në luftën e Koresë.

Më 15 tetor 1892 disa pajisje mekanike votimi u përdorën për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, në zgjedhjet që u mbajtën në qytetin Lockport të shtetit të Nju Jorkut. Pajisjet mekanike të votimit u vunë në përdorim për të mënjanuar sa më shumë që ishte e mundur, mashtrimet, gabimet dhe pakujdesinë e votuesve dhe të zyrtarëve të zgjedhjeve. Ato përshpejtonin gjithashtu procesin e numërimit të votave. Aty nga viti 1910 çdo votim në shtetin e Nju Jorkut, si edhe në shumë shtete të tjera amerikane, bëhej duke lëvizur një çelës. Sot thuajse kudo në Shtetet e Bashkuara votimi bëhet në disa pajisje të posaçme, ose në sisteme më të përparuara kompjuterike. Megjithatë disa qytete të vogla vazhdojnë të ruajnë traditën e votimit me fletë-votimi që mbushen nga votuesit.