Powell dhe Musharraf bien dakort - 2001-10-15

Presidenti pakistanez, gjenerali Pervez Musharraf dhe sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell thanë se janë të një mendimi që çdo qeveri pas regjimit taleban në Afganistan duhet të jetë e një spektri të gjerë.

Dy zyrtarët e lartë i bënë këto komente sot në një konferencë shtypi, pas bisedimeve në Islamabad. Sekretari Powell dhe presidenti Musharaf shprehën mendimin se elementë të moderuar të regjimit taleban mund të ndihmojnë në qeverisjen e Afganistanit nga një koalicion i spektrit të gjerë, në të cilin do të përfshiheshin anëtarë të Aleancës Veriore të opozitës dhe ish mbreti Zahir Shah. Sekretari Powell tha se ishte i një mendimi me gjeneralin Musharaf se çdo qeveri e ardhshme afgane duhet të ketë marrëdhënie miqësore me fqinjët e tij.

Presidenti Musharraf dhe sekretari Powell thanë se dëshirojnë që fushata ushtarake në Afganistan të jetë e shkurtër. Megjithatë sekretari Powell tha se ajo duhet të përmbushë qëllimet e saj.

Zyrtari i lartë i diplomacisë amerikane tha se regjimi taleban ndodhet nën një trysni shumë të madhe, por ai nuk pranoi të jepte ndonjë afat kohor për përmbyejen përfundimtare të këtij regjimi.

Gjenerali Musharaf u zotua që të mbajë nën kontroll ekstremistët islamikë dhe tha se elementë të tillë janë shumët ë paktë në shoqërinë pakistaneze. Megjithatë ai ishte dakord me sekretarin Powell se çështja e ekstremizmit islamik duhet të zgjidhet nëpërmjet një sistemi arsimor më të balancuar.

Si zoti Powell edhe gjenerali Musharaf shprehën besimin se zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve që lidhen me Kashmirin janë të rëndësishme për përmirësimin e marrëdhënieve midis Indisë dhe Pakistanit.

Nga Pakistani, sekretari Powell shkon sot në New Delhi për bisedime me kryeministrin indian Atal Behari Vajpayee dhe ministrin e jashtëm Jaswant Singh.

Dje, India dhe Pakistani shkëmbyen zjarr të rëndë në të dyja anët e zonës ushtarake të kontrollit në Kashmir, duke e shtyrë presidentin Bush që tu bënte thirrje të dy vendeve që të tregohen të përmbajtura, veçanërisht gjatë fushatës së tanishme kundër terrorizmit.