Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe sekretari i përgjithshëm i Natos, George Robertson, kanë rënë dakord për të vendosur bashkëpunim ndërmjet Moskës dhe Aleancës Atlantike. Kjo marrëveshje u arrit, pasi presidenti Putin dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian vendosën të çojnë më tej bashkëpunimin e tyre kundër kërcënimeve nga jashtë, siç është terrorizmi.
Zoti Robertson e quajti takimin e tij në Bruksel me zotin Putin një ngjajre të shënuar e përmasave madhore. Sekretari i përgjithshëm i Natos thotë se me sulmet terroriste në New York dhe Washington dhe, për hir të kërcënimit që këto sulme përbëjnë për bashkësinë ndërkombëtare, ka më shumë gjëra që i bashkojnë Naton dhe Rusinë, se ato që i kanë ndarë ato në të kaluarën.
”Për rreth 40 vjet, Natoja dhe Rusia e shikonin njëra-tjetrën gjithë inat. Edhe për 10 vjet të tjera, ne jemi ruajtur nga njëri-tjetri. Por tashti unë besoj se po hyjmë në një epokë ku bashkëpunimi i qenësishëm dhe praktik do të krijojë një marrëdhënie të papërsëritshme ndërmjet nesh.”
Zoti Putin thotë se e mbështet propozimin e zotit Robertson për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet Natos dhe Rusisë. Takmi i tyre u zhvillua të njëjtën ditë, kur Shtetet e Bashkuara kërkuan ndihmë të posaçme nga aleatët e tyre të Natos në bazë të Nenit 5 të traktatit themeltar të organizatës, që është klauzola e mbrojtjes reciproke e cila e shikon sulmin kundër njërit prej vendeve-anëtare si sulm kundër të gjithë vendeve të aleancës. Presidenti Putin thotë se është dakord me një qendrim të tillë.
"Mendoj se një aleancë e tillë siç është Natoja dhe gjithashtu në kontekstin e nenit 5, një kërkesë e tillë është krejt me vend dhe një praktikë krejt normale.”
Zoti Putin e bëri gjithashtu të qartë se Moska ka ende qendrime të ndryshme nga ato të Natos, veçanërisht lidhur me shtrirjen e mundshme të aleancës për të përfshirë në gjirin e saj vende që ndodhen në kufi me Rusinë. Kjo çështje ka qenë për një kohë të gjatë shkak për të acaruar marrëdhëniet ndërmjet Natos dhe Rusisë.
”Po qe se shkon së pari apo Berlin dhe pyet dikë në rrugë nëse ai apo jo ndihen më të sigurtë pas zgjerimit të Natos dhe nëse po ky person do të ndihej më i sigurtë ndaj këtij kërcënimi terrorist, përgjigjia ka mundësi të jetë ”jo”, tha presidenti rus.
Megjithatë, zoti Putin u tërhoq nga një deklaratë që e bëri më parë gjatë ditës së djeshme (e mërkurë, 3 shtator), kur u shpreh se Rusia mund të shqyrtonte kundërshtimin e saj ndaj zgjerimit të radhëve të Natos, po qe se kjo e fundit bëhet më shumë një organizatë politike se sa ushtarake dhe po qe se Rusia do të ketë të drejtën që të pyetet lidhur me procesin e gjerimit të aleancës.
Dilpomatët në selinë e Natos thonë se presidenti rus vëren se mund të përfitojë nga rasti, tashti që perëndimi është përqendruar në krijimin e koalicionit kundër terrorizmit, në mënyrë që të ngadalësojë procesin e zgjerimit të Natos. Në të njëjtën kohë, ata thonë se Natoja dhe Rusia po afrohen edhe më tepër me njëra-tjetërn. Kjo marrëdhënie, thonë ata, do kohë që të përcaktohet, por mund të rezultojë në krijimin e njëfarë partneriteti strategjik kundër kërcënimeve të përbashkëta, si terrorizmi dhe përhapja e armëve kimike, biologjike dhe bërthamore.