Amerikanët myslimanë respektohen - 2001-10-03

Që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit kundër Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit, në Shtetet e Bashkuara ka patur njoftime për kërcënime, provokime dhe madje dhunë kundër një numri personash arabo-amerikanë. Shumica dërrmuese e amerikanëve i dënon sjellje të tilla. Amerikanët mendojnë se asnjë fe ose grup fetar duhet të përndiqet apo diskriminohet për shkak të akteve vrasëse të kryera nga një pakicë njerëzish.

Amerikanët e dinë se shumica dërrmuese e arabo-amerikanëve janë njerëz patriotë. Një nga aktet e para të ndërmarra nga Kongresi pas sulmeve terroriste, ishte miratimi i njëzëshëm i një rezolute ku thuhej se Shtetet e Bashkuara e dënojnë çdo veprim dhune ose diskriminimi kundër arabo-amerikanëve dhe myslimano-amerikanëve.

Kohët e fundit, Presidenti Bush është takuar me udhëheqës të arabo-amerikanëve dhe myslimano-amerikanëve për t’i siguruar ata se Shtetet e Bashkuara qendrojnë pranë tyre, ashtu siç qendrojnë edhe ata më Amerikën. ”Kur një njeri betohet para flamurit me dorën mbi zemër, ai betohet me të njëjtën vendosmëri sa edhe unë”, tha presidenti në një takim në Shtëpinë e Bardhë. Unë, tha ai, jam krenar për udhëheqësit myslimanë kudo në Amerikë, të cilët janë ngritur më këmbë dhe kanë kërkuar me forcë jo vetëm që Amerika të mbetet e fuqishme por edhe që ajo të ruajë të paprekura vlerat të cilat na dallojnë nga të tjerët, vlerat e respektit dhe të lirisë së besimit.”

Midis atyre që gjetën vdekjen nga sulmi kundër Qendrës Botërore të Tregtisë kishte edhe myslimano-amerikanë dhe arabo-amerikanë. Arabo-amerikanët dhe organizatat e tyre i dënuan pa vonesë sulmet terroriste. Në fakt, një pjesë e mirë e botës islamike është shprehur në mbështetje të luftës kundër terrorizmit. Këto vende e dinë se të dyshuarit kryesorë për sulmet, Osama bin Ladeni dhe organizata e tij al-Qaida janë të pabesa ndaj fesë islame. Siç u shpreh Presidenti Bush, ”Al-Qaida nuk është një organizatë e paqes. Ajo është një organzatë e bazuar mbi urrjetjen dhe mbi të keqen. Lufta jonë, tha presidenti, drejtohet kundër së keqes, kundër ekstremistëve. Mësimet e Islamit janë mësimet e paqes dhe të mirës.”

Të drejtat e të gjithë amerikanëve, përfshirë ato të arabo-amerikanëve dhe të myslimano-amerikanëve, do të mbrohen. Sipas fjalëve të presidentit Bush, ”myslimano-amerikanët japin një ndihmesë jashtëzakonisht me vlerë për vendin prandaj duhet të trajtohen me respekt.”