Nuk është e qartë se kur do të rifillonin bisedimet në Maqedoni - 2001-07-26

Presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, po takohet me të dërguarin amerikan dhe atë të Bashkimit Evropian për të përgatitur rifillimin e bisedimeve të paqes në këtë vend ballkanik. Ndihmësit e zotit Trajkovski thonë se presidenti maqedonas po takohet sot në Shkup me Francois Leotard dhe James Pardew .

Dje, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Javier Solana, tha se bisedimet e paqes me pjesëmarrjen e udhëheqësve të partive politike shqiptare dhe maqedonase do të rifillonin së shpejti. Presidenti Trajkovski tha se bisedimet do të zhvillohen në Tetovë, ku gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar luftime të ashpra midis trupave qeveritare dhe luftëtarëve shqiptarë. Por të dërguarit ndërkombëtarë në Maqedoni thonë se kjo mund të ndryshojë për shkak të luftimeve të fundit. Gjithashtu nuk është e qartë se kur do të rifillonin bisedimet.

Po dje, kryengritësit shqiptarë filluan të tërhiqeshin nga pozicionet e tyre pranë Tetovës, qyteti i dytë për nga madhësia në Maqedoni. Marrëveshja për tërheqjen u arrit të mërkurën, në bisedimet ndërmjet të dërguarit të Natos, Peter Feith dhe përfaqësuesit politik të luftëtarëve shqiptarë, Ali Ahmeti, pasi qeveria maqedonase paralajmëroi se do të ndërmerrte një ofensivë të re, në se kryengritësit nuk tërhiqeshin.